| MediaWorks është kompani e re mediale, e themeluar në vitin 2004, nga një grup redaktorësh dhe gazetarësh më në zë të Kosovës, me ndihmën e kompanisë IPKO.
Gazeta e përditshme Express, produkt kryesor i kompanisë MediaWorks, ka hyrë vrullshëm në diskursin publik në Kosovë, duke botuar artikuj relevantë, të hulumtuar mirë, dhe opinione autoritative.
Profesionalizmi i gazetës Express është vërejtur edhe jashtë Kosovës. Express është përmendur si burim kredibël i informatave gjatë raportimit të mediave botërore nga Kosova. New York Times, Time, The Economist, Associated Press, Reuters, etj, u janë referuar - dhe vazhdojnë t'ju referohen - artikujve dhe fotografive të botuara në këtë gazetë.
Stafi editorial i Express është i dedikuar të prodhojë një gazetë të përditshme me shtojca speciale, ashtu që lexuesve t'u sjellë përmbajtje relevante e cilësore, duke promovuar njëkohësisht një frymë të re profesionale në gazetari.
Ndryshe, ekipi redaktorial i Express përbëhet nga një grup profesionistësh me eksperiencë.
Kryeredaktori, z. Berat Buzhala, është një ndër gazetarët më të njohur të ekonomisë dhe të gazetarisë hulumtuese në Kosovën e pasluftës. Kolumnet dhe editorialet redaktohen nga Shkelzen Maliqi, njëri ndër publicistët më të mirë të rajonit. Ndërkohë që foto-desku përbëhet nga fotoreporterë me përvojë, puna e të cilëve madje është shpërblyer edhe me çmime ndërkombëtare të fotografisë mediale. Dizajnerët tanë shquhen me përkushtim dhe kreativitet, gjë që edhe e bën dizajnin e gazetës Express të jetë lehtë i dallueshëm nga ditoret tjera që janë prezente në tregun kosovar.
|