Kurti s'i ndihmoi - Taravari humb thellë përballë Osmanit, por LVV s'tërhiqet, mban shpresa për maj - Gazeta Express
string(93) "kurti-si-ndihmoi-taravari-humb-thelle-perballe-osmanit-por-lvv-sterhiqet-mban-shpresa-per-maj"

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 13:04

Kurti s’i ndihmoi – Taravari humb thellë përballë Osmanit, por LVV s’tërhiqet, mban shpresa për maj

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 13:04

Kryeministri i Kosovës s’e mohon më se po përzihet në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. E kishte mohuar një herë në Shkup, por më pas në Prishtinë i kishte mbledhur disa përfaqësues të partive opozitare shqiptare dhe e kishte inkurajuar Arben Taravarin që të garonte për president. Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën, ai pa kandidatin e tij të humbte thellë përballë Bujar Osmanit të BDI-së së udhëhequr nga Ali Ahmeti. Por Albin Kurti s’ka hequr dorë. Këshilltari i tij dhe dy gra nga Lëvizja Vetëvendosje do të garojnë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit në RMV.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Mbështetja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk i vleu. Arben Taravari mbrëmë u desh të përballej me humbjen në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Kandidati i koalicionit të opozitës shqiptare në RMV me akronimin VLEN, garën e vërtetë të mërkurën e kishte me Bujar Osmanin, kandidatin e koalicionit Fronti Evropian, nga i cili u mposht bindshëm.

Ndërsa janë numëruar pothuajse 100% të votave, kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente të Maedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova prin në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale duke marrë 362.682 vota, apo 40,08%. Stevo Pendarovski, presidenti aktual maeqdonas nga LSDM-ja renditet i dyti me 180.306 vota (19,93%). Ata do të garojnë në një rund të dytë votimi më 8 maj.

Për Osmanin dhe Taravarin, e rëndësishme ishte gara ndërmjet tyre.

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut nga BDI-ja, partia më e madhe e shqiptarëve në RMV, ka marrë 120.903 vota (13.36%). Ndërsa kryetarit të Gostivarit nuk i mjaftoi mbështetja nga Lëvizja Vetëvendosje që qeveris në Kosovë për të marrë më shumë se 83.356 vota (9.21%). Diferenca: afro 40 mijë.

“Më lejoni që para jush të shpall fitore të thellë me dallim mbi 40 mijë vota. Edhe një herë, se ndoshta nuk u dëgjua mirë, fitore të thellë me dallim mbi 40 mijë vota”, deklaroi Bujar Osmani në një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve, duke i thënë kandidatit të tij se kishin “një fushatë shumë të ndershme”, pavarësisht “goditjeve të ulëta” dhe që ta pranojë rezultatin.

Në VLEN janë të vetëdijshëm se tash kanë para vetes një synim të vështirë: të mundohen të fitojnë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

“Tashmë e dimë që këto zgjedhje kanë pjesëmarrje shumë të madhe, shumë më masive në krahasim me zgjedhjet tjera, dhe çdoherë kur ka masivitet në zgjedhje kjo paralajmëron ndryshimin”, tha Arben Taravari në një konferencë për media. “Tërmeti nisi sot, me pjesëmarrjen masive, por dridhjet e fundit do të jenë më 8 maj, kur do të jenë zgjedhjet parlamentare”, tha ai. Partnerët e tij në koalicion premtuan se do ta përmbysin rezultatin për të cilin e akuzuan BDI-në se “e mori me mjete kriminale”.

LVV-ja nuk ia doli, por nuk heq dorë

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjithsesi do ta vazhdojë garën për të marrë pak pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Në koalicionin e partive opozitare shqiptare në shtetin fqinj, LVV merr pjesë me tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj, ndër të cilët edhe Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës.

Qoku shkroi mbrëmë se si LVV-ja “për vite me radhë pësoi humbje përballë të korruptuarve”.

Ndonëse në krye të një reagimi në Facebook e përshkroi rezultatin si “fantastik”, në fjalinë pasuese tha se ai “tregon gjendjen e mjerueshme të popullatës, e cila shpesh shtrëngohet ta braktisë vendlindjen që mos e durojë këtë turpërim”.

“Lëvizja Vetëvendosje! për vite me radhë pësoi humbje përballë të korruptuarve, deri sa erdhi tek fitorja e madhe. Te VLEN mundësia është më e mirë. Jemi dy mandate larg, dy javë larg. Po të angazhohemi maksimalisht, do t’i largojmë qysh sot ata që e shkatërruan vatrën dhe familjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Gjithçka është në dorën tonë – të ecim përpara, me energji e pozitivitet. Ne do fitojmë, sepse nijetin e kemi të mirë!”, shkroi Qoku.

Qeveria e Kosovës ishte angazhuar në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut për ta ndihmuar Taravarin dhe VLEN-in.

Para rreth dy javësh, Qeveria e Kosovës e bëri çështje diskutimi një plan 9 pikësh të propozuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në qershor të vitit të kaluar për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, pasi Bujar Osmani, i cili e kishte kryesuar këtë organizatë të rëndësishme, kishte treguar paraprakisht se si kishte kontribuar për shtensionimin e situatës në Kosovë, duke e përpiluar vetë atë plan.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e akuzonte kandidatin për president të RMV se e ka parë Kosovën me sytë e ndërkombëtarëve.

Këtë ndihmë të Qeverisë së Kosovës në betejën zgjedhore atje nuk mbeti pa e shfrytëzuar Taravari, i cili shkruante se si Osmani ia paska bërë “argatin Serbisë” dhe se se sa mirë ka bërë Qeveria e Kosovës sipas tij që “nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit”, pasi me të, “bandat e Vuçiçit nuk do të kishin gjetur rezistencë”.

Osmani kishte reaguar më pas, duke i shënjestruar ato që ai i quajti “lojëra elektorale”.

Përtej kësaj, ishte planifikuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të merrte pjesë personalisht në tubimet e koalicionit VLEN në Cyrih dhe Berlin para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Por s’shkoi me arsyetimin se “obligimet dhe detyrat e shumta në Kosovë”, dhe “kërcënimet e vazhdueshme nga fqinji verior” ia pamundësuan pjesëmarrjen. Në vend të tij atje e çoi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Përmes një video-mesazhi, porosiste që në zgjedhjet presidenciale të votohet masivisht, ndërsa shprehej se “Republika jonë, por edhe rajoni i Ballkanit Përendimor në përgjithësi, ka nevojë për një faktor politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili në këto kohëra të ballafaqimit të përditshëm e sistematik me Serbinë agresore, do të jetë krah i fortë i Kosovës, në mbështetje të paqes e sigurisë, mirëqenies e demokracisë”.

“Ju përshëndes të gjithëve e në veçanti mikun tim e presidentin tuaj Dr. Arben Taravarin që e kam shok ngahera dhe i besoj si për nga orientimi ashtu edhe për nga karakteri. Energjia e re është e mirëseardhur në skenën politike shqiptare për shumë arsye. Ajo gjithsesi ia vlen, sidomos në situatat që po i përjetojmë e jetojmë tani. Suksese të mërkuren e zgjedhjeve dhe në çdo ditë pune e pushimi”, thoshte Kurti.

Më herët, ai mohonte se po përzihej në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe nga Shkupi kishte thënë se LVV nuk garon e se shqiptarët duhej të vendosnin vetë për çështjen e presidentit, por më pas i kishte sjellë në Prishtinë përfaqësuesit e VLEN-it me të cilët ishin pajtuar se presidenti i radhës në Shkup duhet të jetë shqiptar.

“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit më 30 janar.

Taravari ka pranuar para pak javësh se Kurti e ka inkurajuar që të garojë për president të Maqedonisë së Veriut.

Për koalicionin jo shumë zyrtar të LVV-së me partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut bënte të ditur për herë të parë kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në fund të vitit të kaluar. Ky njoftim kishte ardhur disa muaj pasi këtë mbështetje kryeministri i Kosovës ua kishte ofruar atyre edhe fizikisht gjatë një vizite shumë të diskutueshme në RMV në verë të vitit 2023.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga Talat Xhaferi i BDI-së, i cili është bërë shqiptari i parë që e mori këtë detyrë. Kjo qeveri teknike do të pasohet nga qeveria e re me mandat të plotë, e cila do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit, atë ditë kur zhvillohet edhe rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.