Shfaqjen më të mirë s’ka kush ta zgjedhë - Gazeta Express
string(39) "shfaqjen-me-te-mire-ska-kush-ta-zgjedhe"

Arte

Donjeta Abazi

26/04/2024 16:47

Shfaqjen më të mirë s’ka kush ta zgjedhë

Arte

Donjeta Abazi

26/04/2024 16:47

Pas turneut në Poloni, Itali, Maltë dhe Slloveni, shfaqja “The Best European Show” u prezantua edhe në ambientet improvizuese në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë.

Nga Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

“The Best European Show” me tekst të Marko Bratushit e Haris Pashoviqit dhe me regji të Haris Pashoviqit, është realizuar në bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Due nga Parma e Italisë, Teatri Kombëtar Slloven të Nova Goricës, Teatrit Opole nga Polonia dhe Teatrit të Maltës.

Ngjarja e shfaqjes nisë me idenë e një jurie që ka për detyrë zgjedhjen e fituesit të Festivalit, e megjithatë shfaqja ngacmon tematika përtej ngjarjes bosht. Në “The Best Eurpean Show”, u vetëkritikua teatri, u ngrenë diskutime mbi të drejtat e zezakeve, të komuniteteve të ndryshme, rrymës së feminizmit, revoltave vetanake, u ngërthye mitologjia greke me sistemin e inteligjencës artificiale dhe u përmblodh me tematikat më të mëdha të sistemeve të politikave evropiane që kalojnë përtej të drejtave të kafshëve e përtej ngrohjes globale.

Teksti i shfaqjes i vë në pah secilin personazh në shfaqje që përfaqëson diçka dhe dikë ani pse gjatë trajtimit, edhe personazhet edhe kauzat e tyre fillojnë e tjetërsohen. Prandaj të gjithë aktorët me të gjitha dialogjet që i zhvillojnë mes vete mund të funksionojnë goxha edhe pa ndihmën e skenës. E njohur në kinematografi si ‘one shoot’, ‘The Best Eurpean Show’ nuk kërkon lëvizje të vazhdueshme të aktorëve dhe daljet e disa prej personazheve nga skena ndodhin rrallë, një realizim i tillë ngjason me krijimin e filmit/ shfaqjes ‘Xha Vanja’.

Në skenën e Teatrit përmes Grotowskit dhe AI

Krijuesit e shfaqjes e dinë që kohërat moderne kanë vënë në siklet krijimtarinë teatrale dhe përmes thumbimit ata kanë vendosur që në këtë shfaqje ta aktualizojnë pasionin e teatrit përmes regjisorëve të dikurshëm dhe katandisjes së shoqërisë e profesioneve në inteligjencën artificiale. Nga mitologjia greke tek Çehovi e Grtowski madje edhe tek letërsia përmes autorëve që vunë themelet e saj, autorët e shfaqjes zgjasin një dilemë interesante të funksionimit mes pasionit për artin dhe denigrimit të tij në botën moderne, aq sa periudhat e dikurshme, sado reale e estetike të kenë qenë, kanë mbetur të harruara dhe nostalgjike.

Në ekranin e madh në skenë luhen klipe të shkurtra të shteteve pjesëmarrëse në festival, gjithsej 52 shtete (një përzgjedhje dhe inskenim i përafërt me Eurvision), klipe këto të cilat satirizojnë me dukuritë negative dhe të palarat e popujve më saktë politikave të tyre për shekuj me radhë. Kur themi se ‘The Best European Show’ shkon përtej trajtimit të temës bosht, jurisë së festivalit, po flasim pikërisht për klipet e dhëna në ekranin në skenë (të krijuara nga AI), klipe të cilat riakutualizojnë të vërtetat e politikave dhe sistemeve shoqërore ashtu siç janë dhe jo siç do të ishin në një realitet idealist.

Gjuha dhe veprimi

Gjatë 2 orë e gjysmë shfaqje, personazhet gjuhen e trupit dhe atë të folur do ta mbajnë aktive në mënyrë të vazhdueshme. Intensifikimi i ngjarjes ndodh nga fundi, në fakt nga fundi shkon e bëhet tragjedi, sepse në tension dhe e intensifikuar është nga fillimi. Një përzgjedhje e një fituesi nga kjo juri mbi të cilën ndërtohet e gjithë loja bëhet problematik e pazgjidhshme dhe kjo është arsyeja pse drama kalon në tragjedi dikur. Mandej rrëfimet e personazheve herë pas here për të vërtetat e tyre dhe me raste për të vërtetat e hidhura të dukurive negative të shoqërisë e vendosin shfaqjen nganjëherë në momente qetësie, sepse publiku e dëshiron realen vetanake dhe nuk ka rëndësi cili publik e ku, të gjithë njerëzit mbajnë një dëshirë të brendshme për t’u futur në sekretin e tjetrit.

Në një lexim më të gjerë, në fakt nuk thumbohen veç sistemet e ndërtuara sot nëpër vende të ndryshme, thumbohen edhe të metat e individit të cilat mbahen fshehur deri diku nga vetë ata dhe shpërthejnë nga vetë ata duke shkaktuar rrethana kaotike në ambientin përreth tyre.

Në nderim të perëndisë Dionis

E në fund bashkëdyzimi i komedisë, satirës në nderim të audiencës autorët i ofrojnë publikut fundin tragjik në shfaqje, për t’i kombinuar të tri këto. Vetëvrasja e njërit nga kryengritësit të revoltuar ndaj jurisë, vetë festivalit dhe denigrimit të artit e teatrit, rrëfen për një revoltë që qëndron me tjetrin deri në fund dhe që dashuria për skenën në fakt jo gjithmonë bën bujë, e veçmas në kohërat moderne. Ata të cilët përnjëmend e duan skenën dhe artin i falin tragjedinë teatrit edhe me vetësakrificë.

E krejt në fund, pa u përmendur nuk mbeti edhe tematika e luftës së Ukrainës, gjendjes në shtetet islamike, korrupsionit dhe drogës në Itali, ish sistemit të Nazizmit në Gjermani i cili paradoksalisht u ngrit në emër të demokracisë.

Tematikat e trajtuara në shfaqje tentojnë ta ngritin një vetëdijesim kolektiv mbi fenomenet negative të krijuara nga sistemet qeverisëse të cilat dalin nga vetë njerëzit e që padyshim edhe thirren ne emër të demokracisë.

Shfaqja u shkrua për një audiencë të gjerë, u shkrua mbi tematika të cilat në një mënyrë a tjetër do të ndikojnë mbi të gjithë shoqëritë evropiane, përfshirë edhe vendin tonë.

Teksti: Marko Bratush & Haris Pashoviq

Regjisor: Haris Pashoviq

Luajnë: Armend Smajli, May-Linda Kosumovic, Davide Gagliardini, Ana Facchini, Gianni Selvaggi, Philip Leone Ganado, Felix Römer, Weronika Kozakowska, Blazej Stencel, Jammeh Diangana, Paola de Crescenzo dhe Lumnije Sopi.

“The Best European Show” është inicuar falë një Granti Zhvillimor nga European Theatre Convention – ETC.