Klubi i Juventusit ka nisur grumbullimin e fondeve për të mbështetur punonjësit e sistemit shëndetësor të Torinos dhe të gjithë Piemontit në betejën kundër pandemisë së Coronavirusit.
Njoftimi u bë nga presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, i cili gjithashtu zbuloi se ai e ka futur veten në izolim vullnetar: “Qëndroni në shtëpi!”
Numri 1 i “Zonjës së Vjetër” është vetëm një nga 121 personat që u vendosën në karantinë vullnetare, sepse ata ranë në kontakt me Daniele Ruganin.
“Pas lajmeve të djeshme, në lidhje me pozitivitetin ndaj Coronavirus-COVID 19 të lojtarit Daniele Rugani, saktësohet se 121 persona, përfshirë futbollistët, anëtarët e stafit, trajnerët dhe punonjësit e Juventusit, janë duke kaluar një periudhë të izolimit vullnetar në shtëpi, në përputhje me kërkesat e autoriteteve shëndetësore, bazuar në dispozitat që janë aktualisht në fuqi,” shpjegohet në një qëndrim të klubit bardhezi.
Tek Juventusi ekziston një frikë e fortë se lojtarët e tjerë mund të kenë marrë Coronavirusin. Për këtë arsye, e gjithë skuadra do të duhet t’i nënshtrohet testit brenda 4-5 ditësh. Nëse nuk do të ketë ndonjë futbollist tjetër të kontaminuar, skuadra mund të kthehet në stërvitje, por jo më shpejt se në datën 25 mars, pra pak më shumë se një javë para rihapjes së mundshme të kampionatit.