string(91) "aurona-pelaj-infermierja-qe-u-argetua-duke-e-rrahur-te-moshuaren-dhe-tha-se-e-beri-ne-afekt"

Gazeta Express

02/11/2022 23:16

Aurona Pelaj, infermierja që u argëtua duke e rrahur të moshuarën dhe tha se e bëri në afekt

Gazeta Express

02/11/2022 23:16

Aurora Pelaj është infermierja e re nga Peja që u bë famshme brenda pak orësh. Imazhi i saj u shpërnda në të gjitha mediat e rrjetet sociale, duke u bërë shënjestër kritikash e mallkimesh nga i madh e i vogël.

Sigurisht se ajo nuk ka mundur ta imagjinojë një reagim të tillë e kaq të gjerë kur bashkë me koleget e saj, e ka keqtrajtuar dhe e ka abuzuar me sadizëm për argëtim të moshuarën në qendrën për të moshuarit “Orenda”.

Lexo Edhe:

“Pak jam t’u ia hi qysh di unë”, dëgjohet tek thotë Pelaj gjatë abuzimit me të moshuarën, për të cilën supozohet se do të duhej të përkujdesej.

Të moshuarën, që raportohet të jetë e sëmurë nga Alzheimer, ajo e godet në kokë disa herë dhe me këmbë në pjesën e stomakut dhe këmbëve. Përballë këtyre skenave barbare, një infermiere kryen me punët e saj në sallë e pashqetësuar, ndërkohë që kolegia tjetër që xhiron, qeshet me abuzimin që i ndodh të moshuarës.

“Veç pak e grithë dorën, pa t’i q* robtë s’kam me lënë”, i drejtohet Pelaj të moshuarës, përpara se ta godasë fuqishëm tre herë radhazi në dy anët e fytyrës. Incizimi ndalet pas 58 sekondave, por është e paqartë nëse kjo i ka dhënë fund edhe dhunës ndaj saj. Gjatë tërë videos, nuk ndalen të qeshurat dhe argëtimi.

Por, çfarë tha Pelaj në Polici kur u mor në pyetje?

Tërë këtë demonstrim dhune me qëllim poshtërimin, frikësimin dhe denigrimin e të moshuarës, nënë e dëshmorit Taulant Nura, ajo është munduar ta justifikojë si veprim në vetëmbrojtje, ndonëse videoja është shumë e qartë.

Sipas Sinjalit, Pelaj i ka thënë hetuesve se ajo po u ndihmonte kolegeve të saj që ta vinin nën kontroll të moshuarën, e cila, sipas saj, kishte pësuar kriza nervore dhe po shkaktonte telashe në hapësirën e qendrës.

 “Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para”, ka deklaruar ajo.

Pelaj, përkundër qartësisë së kristaltë që shfaq videoja e inciziuar, ka thënë se nuk ka përdorur “forcë të madhe”.

“Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër.“, ka deklaruar ajo para policisë.

Për t’u shfajësuar, Pelaj është munduar ta arsyetojë profesionalisht dhunën e saj, duke thënë se ndaj personave me probleme psikike duhet treguar dominancë.

 “Në shkollë jemi mësuar se personat që paraqesin rrezik për personelin dhe kanë probleme psikike duhet të tregohemi dominant ndaj tyre. Unë jam e vetëdijshme se veprimi ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mija kanë qenë paralajmëruese dhe jo me forcë të madhe. Koleget e mija janë munduar ta vënë nën kontroll atë (të moshuarën). Janë munduar me forcë ta ndërrojnë, ka qenë e fuqishme dhe është dashtë disa veta ta vënë nën kontroll”, ka thënë tutje Pelaj.

Babai i Pelajt i kërkon falje familjes Nura dhe tërë popullit shqiptar, kërkon dënim meritor për të bijën

Qëndrimi i babait të Aurora Pelajt, Naimit ka befasuar pozitivisht shumë qytetarë. Ai nuk ka nguruar të kërkojë falje publike për veprimin e të bijës. Pelaj, falje publike i ka kërkuar edhe familjes së të moshuarës Nura nga Gjakova, duke thënë se pamjet e publikuara e kanë goditur rëndë atë dhe familjen.

“E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë, Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin qe ju ka shkaktuar vajza jonë”, ka thënë Pelaj në një prononcim për Klan Kosovën.

“E di që po kaloni momente të rënda, por na lejoni që t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë”, ka vazhduar ai.

Ndërkaq, Pelaj i ka bërë edhe një thirrje organeve të drejtësisë, që ndaj bijës së tij të veprojnë me forcën e ligjit.

“Gjithashtu, në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat, për të cilat e ngarkojnë”, ka deklaruar ai. /GazetaExpress