string(28) "erotimatologio-xhavit-beqiri"

Arte

Gazeta Express

11/11/2022 16:39

Erotimatologio / Xhavit Beqiri

Arte

Gazeta Express

11/11/2022 16:39

Xhavit Beqiri (1971) është profesor i acocuar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës. Ka doktoruar në fushë të stilistikës gjuhësore.

Përveç studimeve të kësaj fushe, ai ka botuar një numër tekstesh edhe nga fusha e kritikës letrare dhe publicistika. Në kuadër të bashkëpunimit ndëruniversitar të UP-së me universitetet e tjera, ka qëndruar në Universitetin e Indianën (ShBA), në Universitetin e Lubjanës etj.

Lexo Edhe:

Libri i tij, ‘Lahuta… e Fishtës / Gjuhë dhe stil’, është vlerësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Çmimin vjetor për letërsi “Ibrahim Rugova” për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë brenda vitit 2015.

Deri tani, ka botuar këta libra:

Lutje për njeriun, poezi, ShB “Fjala”, 1994; Magjia e shtangies, poezi, ShB “Rilindja”, 1997; ribotuar më 2007 nga ShB “AIKD; Liria e leximit, studime dhe ese, ShB “Rozafa”, 2000; Shën Vjeshta, poezi, ShB “AIKD”, 2002; Gjuha dhe Letrat, studime dhe ese, ShB “AIKD”, 2005; Gjuha dhe stili i Martin Camajt, studim, ShB “AIKD”, 2007; Letra shqiptare, studime dhe ese, ShB “AIKD”, 2008; Identiteti gjuhësor dhe globalizimi, studime, ShB “Drita, 2012; Cogito, poezi, ShB “Buzuku”, 2015; Lahuta… e Fishtës / Gjuhë dhe stil, studim, ShB “Faik Konica”, 2015; Shtëpia në breg, proza poetike, ShB “Buzuku”, 2022.

Libri i parë?

Sa herë që mundohem t’i trokas kujtesës, kujtoj si nëpër mjegull se libri i parë ka qenë një libërth për fëmijë, me fare pak tekst, por me disa ilustrime shumë të bukura. Ndërsa, titulli që e kam pasur më për zemër në atë moshë ka qenë romani për fëmijë Vitet e rinisë i skocezit Arçibald Kronin. Ky roman duhet të ketë lënë më shumë vrragë në botëkuptimin tim të deriatëhershëm për letërsinë për faktin se ishte krejt ndryshe nga veprat që ne ishim të detyruar t’i lexonim si lektyrë shkollore, të cilat, s’do mend, ishin të mbushur ose me heronj partizanë, ose me heronj të rinisë socialiste.

Jeta e fëmijës Robert Shenon, kryepersonazhi i librit të Kroninit, ishte antipodi i jetës së lumtur të fëmijëve në socializëm. Nuk kishte as parulla për vëllazërim-bashkimin, as glorifikime për udhëheqësit e lavdishëm të komunizmit. Diçka e re, tjetër, e zymtë, por drithëruese…

Pastaj, derisa vitet kalonin, në një mjedis fort të denjë për realizmin magjik, në të cilin bashkëjetonin në njëfarë harmonie të frikshme ata që e shanin dhe ata që e mbanin si “znaçkë” në setër portretin e Titos, unë e gjeta vetveten të mposhtur nga pasioni për ta lexuar secilin libër që më binte në dorë. Kështu, ende pa mbaruar fillorja (asokohe ishte me tetë klasë), unë kisha lexuar tashmë libra si: Epi i Gilgameshit, Iliada, Odiseja, Komedia hyjnore, Shpirtra të vdekur, Idioti, Krim dhe ndëshkim…, shumë prej të cilëve i kam rilexuar vite më vonë qoftë për kënaqësinë time, qoftë si literaturë në fakultet. Ndërmjet tyre, gjithmonë kanë qenë veprat e N. Rrahmanit, I. Kadaresë, Naimit, Çajupit, Asdrenit…

S’është, pra, aspak e vështirë të vërehet se në zjarrminë time për lexim, fillimisht nuk ka pasur asnjë intencë klasifikimi. Ndoshta ka qenë ndonjë përpjekje e largët e nënvetëdijes sime për të ikur nga shabllonet e kohës, për t’u arratisur në botën e madhe të imagjinatës letrare?!

Libri që do të doje ta kishe shkruar?

As që dua ta mendoj këtë “mundësi”! Po të shkruaja një libër të tjetërkujt, apo po të shkruaja si tjetërkush, atëherë nuk do të kisha asnjë arsye të shkruaja më. Në të vërtetë, ka përplot libra që i dua dhe i admiroj si për formën, ashtu edhe për përmbajtjen e tyre. Megjithatë, kurrë nuk e kam çuar ndërmend idenë e shkrimit të një “vepre tjetër”, që s’e mban vulën e dhimbjes dhe të dashnísë sime. Nuk mund t’ia lejoj vetes një mendim të tillë. Fundja, secili mundohet me e lanë shenjën e tij, personale, jo të atij tjetrit, kushoqoftë ai.

Po të besoja se do t’i prekte sadopak zemrat mermer të kësaj kohe (dhe po të dija si), do ta shkruaja një libër si doracak dashurie për njerëzit e vendit tim! Mbase, ai libër do t’u ndihmonte të çliroheshin nga smira, nga hipokrizia dhe nga cenet e tjera të përditshmërisë.

Do të doja ta shkruaja një libër leximi për t’ia rikthyer dashurinë dhe kujtesën (njeriut të) vendit tim.

Porse, ne po flasim në mënyrë kushtore (hipotetike), ndaj kjo sigurisht që nuk do të ndodhë. Sepse, një autor duhet të jetë i ndërgjegjshëm se është vetëm një Sizif i kohës së tij dhe ta pranojë këtë dënim pa asnjë kundërshtim. Nga të gjitha heronjtë e mitologjisë, sugjeron A. Kamy, vetëm Sizifi, heroi absurd dhe tragjik, është hero i vërtetë; ai është i ndërgjergjshëm për dënimin e tij, për pafuqinë e tij.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri?

At Zef Pllumi, në dheun e tij, e jetoi Ferrin e Dantes. U burgos dhe përjetoi tortura të llojllojshme, pa vdekjen e ngadaltë të miqve, mbylljen e revistave kulturore, rrënimin e objekteve të kultit, gjykimin dhe zhdukjen e gjithë atyre njerëzve të pafajshëm. U lirua një kohë. Prapë u burgos… Njohu një kalvar mizor vuajtjesh e sakrificash nëpër burgjet e Shqipërisë komuniste, mandej lirimin, miratimin, mirënjohjen. Porse, skepcën dhe habinë i mori me vete.

“Si asht e mundun që njeriu i shekullit XX, në kulm të qytetnimit material, të jetë po aq barbar si ai i 40 shekujve përpara”, pyeste Pllumi në librin e tij monumental Rrno vetëm për me tregue, i cili më shumë sesa një ditar autobiografik, më shumë sesa “nji libër kujtimesh”, është një histori e shkëlqyeshme e Shqipërisë së izoluar nga bota dhe të shkretnueme ngavarfëria.

Do të doja që këtë libër ta lexonte secili shqiptar, kudoqoftë ai. Rrno vetëm për me tregue na e përplas fytyrës medaljen e vërtetë të një pjese të historisë sonë, medaljen e zezë, pikërisht atë më tragjiken, më absurden, të cilën duhet me e njoftë në krejt marrëzinë e saj, edhe pse, si komb, na turpëron keq para vetvetes e para botës. 

Libri që jua ka ndryshuar jetën?

Nuk ka vetëm një të tillë. Ka shumë… Një njeri i shpërfaqet botës me miqtë që zgjedh, një lexues me librat e preferuar. Shpesh kam menduar për temën që e shtron pyetja juaj. Megjithatë, gjithmonë dua ta bëj dallimin në mes veprës dhe autorit. Një autor mund të jetë vërtet i tillë në një vepër, autor i njëmendtë, por fill në një tjetër mund të jetë vetëm një shkrimtar më tepër.

Sigurisht, janë disa tituj që i rendis më lart nga të tjerët: Procesi dhe Kështjella (F. Kafka), Mbi heronjtë dhe varrezat (E. Sabato), I huaji (A. Kamy), Emri i trëndafilit (U. Eko), Daullja e llamarintë (G. Gras), Brenga e Parisit (Sh. Bodler) etj. Pa i lënë anash asnjëherë autorët e (mi të) letërsisë shqipe: Fishta, Camaj, Koliqi, Lasgushi, Pashku, Z. Rrahmani, Podrimja, Hamiti, Dedaj…

Nuk ma kanë ndryshuar jetën, sigurisht, më kanë ndryshuar mua!

Sidoqoftë, nëse do të më duhej patjetër ta veçoja ndonjë libër, unë do të ndalesha te dy romanet e përmendura të Kafkës, i cili me veprat e tij ndërtoi një sistem simbolik unik. Ky sistem edhe sot e kësaj dite është një preokupim i vazhdueshëm i kritikëve letrarë nga mbarë bota. Simbolikën kafkiane e hasim në emërtimet e personazheve, në motive, në gjuhën specifike dhe në mënyrën e kërkimit që ai shfrytëzon. Të gjitha mjetet shprehëse të Kafkës, duke filluar nga toni pothuajse i akullt, deri te portretizimet ironike-fantastike, gërshetohen plotësisht në formën e stilit (të tij) grotesk.     

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar?  

Këtij cilësorit “i përfolur” dua të mos i ndajvihet kurrfarë aluzioni pezhorativ. Larg çfarëdo konotacioni tjetër, “libri i përfolur” nënkupton librin për të cilin lexuesit e një mjedisi shfaqin mbresa, ide e mendime të mirakëndshme, sa të bëjnë të ndihesh në siklet pse ende nuk ka arritur ta lexosh. Ka dhe do të ketë tituj të këtillë, sepse, sado që mundohemi “t’i mbledhim” të gjithë, gjithmonë ndonjë libër do të na mbetet ende i palexuar!

Shpeshherë më kaplon njëfarë ndjesie trishimi, njëfarë mërzie e errët. Sepse, në bibliotekat e botës ka mijëra libra, të cilët ne as që i kemi lexuar dhe as që do kemi mundësi t’i lexojmë ndonjëherë.

Tani, për mos me i bâ ma shumë leqe pyetjes suaj, mund t’ju them se, ditëve të fundit, nga kolegë e miq të mi, kam dëgjuar fjalë shumë të mira për librin e porsabotuar Stilografia të Sabri Hamitit, të cilin mezi po pres ta lexoj. 

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer?

Pa i lexuar më parë, librat nuk i valorizon dot. Rrjedhimisht, duhet “të durosh” edhe libra që nuk u bie dot në fund. Të paktën që t’u mos u kthehesh më.

Ndonëse J. L. Borges e merr në mbrojtje secilin libër duke thënë se nuk ka libër të keq, në kuptimin që prej secilit mund të mësosh diçka, prapëseprapë na ka rastisur, e kjo do të na ndodhë edhe më tej, që të stepemi nga libra të tërë, që, siç do t’i cilësonte kritiku I. Rugova, thjesht, janë libra jointeresantë, libra të dobët.

Për mua, e tillë, zhgënjyese dhe e dobët është pjesa më e madhe e letërsisë sonë socrealiste, e cila është vënë në shërbim të ideologjisë duke e shndërruar artin e fjalës në britmë e parullë. Kjo letërsi, që pastaj si frymë i ka prekur edhe artet e tjera, e ka stërkequr shijen estetike të një pjese të publikut artdashës shqiptar. Kam parasysh sidomos periudhën e revolucionit kulturor në Shqipëri, i cili model e pati revolucionin kulturor kinez maocedunian. Është e trishtë të shihet se si edhe sot, pas kaq dekadash, një pjesë e kulturbërësve të arealit tonë gjuhësor “vazhdojnë  t’i edukojnë masat proletare” me frymën/helmin e asaj kohe. Është një nostalgji sa absurde, aq edhe neveritëse, e cila ta rikujton përdhunshëm se ky mjedis, në vetvete, ende nuk është çliruar!

Libri që ju ka befasuar?

Eh, këtu sikur e kam më të lehtë të vendos: libri që më ka befasuar më shumë është vëllimi poetik Sonete i Eqrem Çabejt (ShB “Çabej, Tiranë, 2008). Sipas dëshmisë së vajzës së tij (e cila e çoi në vend amanetitn e babait që libri të mos botohej sa të ishte gjallë ai), botueses Brikena Çabej, autori, më 1 janar 1951, asokohe 42-vjeçar, i dhuroi Shyhretit 28-vjeçare një fletore me tetëmbëdhjetë sonete shkruar për të. Çabej e kishte zgjedhur Vitin e Ri për t’i bërë dhuratë të veçantë vajzës me të cilën ishte njohur afër dy vjet më parë dhe për të cilën do të ruante një dashuri dhe adhurim të pafund deri në çastin e fundit të jetës.

Autori e nis veprën me përkushtimin në katrenë, Shyhretit, me lutjen klithje;

                   Kur do të shihemi, lus të bjerë shi

                   Pikë pas pike gjithë kësaj natë.

                   Që kur të dalim un’ e ti

                   Mbi pllaja kodra dielli ka ratë.

          Ky përkushtim katërvargësh e shfaq Çabejn poet të disiplinuar, i cili ndien e krijon vargje me ritëm e formë të mbaruar dhe më elegancë i shmanget teprisë së fjalëve. Në këtë frymë janë shkruar të tetëmbëdhjetë sonetet. Ato na e zbulojnë Çabejn me njohje të thella për “formë të mbaruar”, siç instistonte dikur Konica. Respektimi i strukturës dhe numrit të vargjeve, i numrit të rrokjeve, i rimës dhe theksave, me një fjalë metrika shumë e saktë, na bind se Çabej i ka shkruar këto sonete më një durim të madh, duke e skalitur me kujdes të jashtëzakonshëm secilin varg, secilën fjalë.

            Sidoqoftë, kulmin emocional të këtij vëllimi të veçantë e përbëjnë dy sonetet e fundit. Poeti i shkruan ato në një gjendje të thellë dëshpërimi, pasi e kishte humbur të birin, Artanin. Thyerja e madhe, tronditja e shpirtit sjell një krijim të rrallë elegjiak në letrat shqipe.

                   Mbi ty kalojnë muaj e mote

                   Me dit të rënda e me net të shkreta.

                   Mimoza frorit, pika shiu të qeta,

                   Nata e vitit pa një krismë gote.

          Drama e madhe e poetit gjen ngushëllim, vetëm kur ai i himnizon cilësitë e të birit:

                   Kush pati et iu bëre ujë e krua

                   Kush pati gaz i dhe të bardhë verë

                   E vaj të butë plagash kush e pat.

          Një përmbyllje me më plot mall e me më shumë llahtar nuk mund të kishte!

          Ndaj, them se, duke e lexuar këtë vëllim sonetesh, njeriu bindet se Çabej poet i rri pa drojë përballë Çabejt gjuhëtar, të cilin ne e kemi njohur dhe e kemi dashur prej vitesh.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë?

Ka shumë libra, të cilëve u jam rikthyer dhe vazhdoj t’u rikthehem pambarim. Megjithatë, në këtë aspekt, romani Oh i Anton Pashkut është pa dyshim në fron. Nuk e di sa herë e kam lexuar, por nëse jeta më jep kohë, e di se do ta lexoj sërish… Pa dyshim, është romani ynë më i mirë, ndoshta realizimi më i mirë i tërë letërsisë shqipe. Dhe, kur them kështu, nuk kam parasysh asnjë kriter tjetër, përvec kriterit (tim) estetik.  

I botuar më 1971, ky roman është bërë me kohë shenja dalluese jo vetëm e autorit të saj, por e një brezi të tërë krijuesish, të cilët në letërsinë e Kosovës tashmë janë pagëzuar si “autorët e refuzimit” (sintagmë e N. Krasniqit). Oh-u i Pashkut është oh i individit përballë shoqërisë, ashtu siç është oh i etnisë përballë tragjedisë së përsëritshme, përballë tragjedisë pa fund që buron nga pushtimet dhe tkurrjet. Për më tepër, është një antitezë, qoftë edhe si idealitet krijimi, si botë imagjinare. Oh-u është pasthirrmë e dhimbjes së madhe, është klithje e pamundësisë për ta ribërë si një tërësi të vetme botën që ka ekzistuar dikur, një idealitet, me botën e sotme të sakatosur shëmtueshëm, me botën e sotme torzo, një fakticitet; pamundësia e njeriut/krijuesit që gjakon tërësinë, pafuqia e njeriut që, në fund të fundit, gjakon lirinë e tij dhe të etnisë së tij, shpërthen dhimshëm e gjëmueshëm si një përplasje e madhe yjesh, që në ligjërimin pashkian kondensohet në një pasthirrmë të vetme – oh! Prandaj, romani Oh i Anton Pashkut, që në titull, sugjeron shprehjen dhe mendimin e kondensuar, përqendrimin maksimal, elipsën!

Në studimet tona letrare, njësoj si Lahuta e malcís e Gjergj Fishtës, edhe Oh-u i Anton Pashkut, me kohë, u ngjit në shkallën e një stileme. Për më tepër, kjo stilemë është bërë shenja dalluese e autorit të saj, është shndërruar me kohë në një figurë, në një sinekdokë.

Libri i fundit?

Kam pasur kënaqësinë ta lexoj pothuajse në tërësi veprën letrare të autorit Zejnullah Rrahmani. Librin e tij të fundit, Deti i Zi  (botuar nga OnufriTregime, Tiranë, 2022) e kam lexuar edhe dorëshkrim, edhe pas botimit. Si edhe në veprat e tjera (Meshtri i vetmisë, Jusufi, Iluminacion etj.), edhe në këtë libër, ky autor i shkrin kufijtë e zhanreve e të formave letrare, ndaj shkruan sipas unit të tij krijues, sipas kodit e standardit vetjak.

Në botën e ligjërimit artistik, sintagma Deti i Zi  konoton një numër të pafund kuptimesh. Deti, simbol i thellësisë dhe i së panjohurës, nxit përherë kureshtjen për kredhje reale e imagjinative. Hapësira e hamendësimeve zgjerohet mnershëm, porsa atij i shtohet cilësori i zi, sepse të duket sikur det bëhet vetë jeta, ndërsa i zi shpirti i atij që degdiset nga dallgët plot tërbim. Deti i Zi, përveç të tjerash, mund të lexohet edhe si Misteri i Jetës, si gjakimi për ta njohur e për ta jetuar atë në plotninë e saj. Autori Zejnullah Rrahmani, krijues e njohës i shkëlqyer i letërsisë, e njeh po ashtu shkrimin shenjt dhe së andejmi e nxjerr si postulat të veprës së tij maksimën eternale: Drita e Shpirtit tim është Dashuria /Dashuria asht drita e Shpirtit tim.

Kjo maksimë e Rrahmanit, qoftë religjioze, qoftë krijuese na vë drejtpërdrejt përballë zbulesës hyjnore, që fillon e mbaron si dashuri, si mister.

/Gazeta Express