string(38) "hazir-reka-nga-tragjikja-te-njerezorja"

Hazir Reka, nga tragjikja te njerëzorja

Arte

Donjeta Abazi

17/02/2023 17:04

Bashkëbisedim me Hazir Rekën, njërin prej fotografëve më të mëdhenj kosovarë, me një karrierë profesionale rreth dyzetvjeçare mbi supe, i cili me shkrepjet e tij ka pavdekësuar një gamë të pafundme ngjarjesh historike tragjike, politike e dramatike, personalitete, fenomene e bukuri  

Fotografi i masakrave. Fotografi i luftës. Fotografi i rezistencës. Fotografi i gazetës. Fotografi i portretit. Fotografi i gjyshes. Fotografi i refugjatit. Fotografi i lulëkuqeve të Kosovës. Fotografi Hazir Reka.

Lexo Edhe:

Është një rrëfim i veçantë i Hazir Rekës mbi ngjarjet e bollshme në jetën e tij prej një besniku të aparatit. E nisi me vrull, e kishte pasion, iu bë detyrë, detyrë atdhetare e profesionale, iu bë krenari e krejt në fund u mblodhën të gjitha bashkë.

Reka ka një fotografi që nuk e shkrepi kurrë, një tjetër që atë e emocionon, por të cilën publiku nuk e njeh, një që ndihet krenar që e shkrepi dhe shumë tjera që e futën në histori. Hazir Reken nuk mund ta shkëputim nga demonstratat, nga ngjarjet politike, nga grevat e minatorëve, nga masakrat e luftës së fundit në Kosovë, por bashkë me këto ngjarje nxjerrim përtej tyre diçka tjetër.

Ky nuk është një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë dhe posaçërisht për luftën.

Në biografi e shkurtër

«Si student e kam studiuar fotografinë, fatkeqësisht kam dal nga lobatoriumi në demonstrata të vitit 1981, ka qenë e rrezikshme kjo pjesë, ishte pjesë e ndjeshme sepse nga një fotografi e imja njerëzit mund të burgoseshin», fillon rrëfimin e tij biografik Reka.

Kishte bërë një pauzë pastaj, sepse ishte mbyllur fakulteti, për shkak të demonstratave. Kështu që studimet i kishte rifilluar dy vite me vonë.

Ngjarja e Rekës si profesionist i fotografisë ndërron në ditën që u hap konkursi në gazetën “Bota e Re”, në mesin e 17 kandidateve, Reka do të zërë vendin e parë për të filluar punën aty.

Puna e fotoreporterit tek “Bota e Re” do të zgjaste deri në vitin 1985, derisa të hapej një tjetër konkurs tek “Zëri i Rinisë” dhe Reka të vazhdonte punën aty deri në fillim të viteve ’90-ta.

Bashkëpunimi i Rekes me revistat e gazetat e vendeve të ish- Jugosllavisë dhe jo vetëm, do të mbetej një zinxhir i pashkëputshëm i fotoreporterit me vendet jashtë Kosovës duke ndarë jetën politike të tmerrshme të vendit tonë në gjithë botën.

Në fillim të luftës në Kosovë Reka do të ftohet të punojë për agjensionin e lajmeve ‘Reuters’, punë e cila do të zgjasë deri vonë.

Fotografi i Minatorëve

Gjatë gjithë grevës së minatorëve Reka kishte qëndruar me ta nga mëngjesi deri në mbrëmje. Duke fotografuar revoltën, domosdoshmërinë e të qenit aty, qëllimin e këtyre rezistuesve të pashoq në mënyrën e tyre.

«Ato fotografi të minatorëve janë publikuar në të gjitha gazetat e Sllovenisë, Maribor dhe Lublanë. Ndërkohë gjatë atyre protestave është vrarë Ylfete Humolli gjatë një demonstrate, në Lupç. Kufoma ishte në spital, por spitali ishte i rrethuar me policë civilë, ishte shumë e vështirë të futeshim brenda për të marrë pamjet. Unë kam qenë bashkë me një koleg tjetër, Blerim Shalën, hymë bashkë si vizitor, i kamuflova aparatet derisa hyra brenda. Në korridor ishte kufoma, reagova, nxora fotografitë. Të nesërmen fotografitë u dërguan në Slloveni përmes një kolegu atje. Do të thotë kjo dhe disa fotografi të tjera, të njerëzve që u ekzekutuan, ishin buja më e madhe në atë kohë që u krijua në Kroaci e Slloveni për gjendjen këtu në Kosovë».

Pyetja që nuk iu bë kurrë Millosheviqit

Në vitet e 90-ta kishte vrasje masive të ushtarëve shqiptar në ish-Jugosllavi, ishte e vështirë identifikimi i tyre për shkak të arkivoleve të metalta në të cilat i fusnin. Në ‘Zëri’ u bë një numër special me fotografitë e ushtarëve të vrarë shqiptarë, biografia e ushtarëve u mblodh e u kompletua përmes familjarëve. Në atë kohë u organizua një tjetër konferencë në Slloveni, në të cilën morën pjesë të gjithë presidentet e republikave ish-Jugosllave. Në gjithë këtë konferencë Hazir Reka do të marrë pjesë krah mediave tjera, krah gazetarëve shqiptarë e të huaj, nga radhët e shqiptarëve ishin Besa Çeku (atëherë punonte në radio Zagreb), Rrustem Rugova nga ‘Rilindja’ dhe Baton Haxhiu nga Koha Ditore.

«Unë i mora numrat e gazetës ‘Zëri’ dhe i shpërndava, në ballinë tregohej viti kur u botua për herë të parë që nga viti 1945 deri në atë kohë. Secili gazetar kishte të drejtë t’u bënte nga një pyetje të gjithë presidenteve që ishin aty veç që nuk kishin të drejtë replike pastaj. Një gazetar i CNN i bëri pyetje Millosheviçit, nëse është e vërtetë që gjithë këta ushtarë (njerëz) ishin të vrarë në ushtrinë Jugosllave. Millosheviçi pastaj kamufloi situatën duke akuzuar gazetat në Kosovë që nuk ishin publike dhe që njerëzit s’mund t’u besonin. Ani pse “Zëri” publikohej prej vitit 1954 dhe s’kishte të bënte me propagandë dhe madje kishte të drejtë publikimi nga strukturat paralele asokohe. Shkova u kërkova Besa Çekut, Rrustem Rugoves e Baton Haxhiut, meqë ishin gazetar ta shfrytëzonin atë mundësi, ta bënin atë një pyetje që kishin për këtë çështje, të vihej në pah fakti së ‘Zëri’ nuk ishte gazetë private. Asnjëri nuk e bëri, të gjithë bënë nga një pyetje që nuk lidhej hiç me gjendjen në Kosovë».

Fotografitë që nuk u publikuan kurrë

Në vitin 90’ Hazir Reka do ta përcillte kongresin e fundit të Komitetit Qendror të Jugosllavisë. Aty filloi shkatërrimi i ish-Jugosllavisë, aty nisi, ai ishte momenti ku filloi gjithçka. Fotografitë e Rekës e dëshmojnë, ai ishte aty për t’i shkrepur, momentin e fillimit të fundit jugosllav. Të paret që u larguan nga kjo mbledhje ishin sllovenët, pastaj kroatët e kështu me radhë.

«Në fotografi është interesant të shihet, sepse i kanë pasur disa lloj kartonësh kur kanë votuar, me mbishkrimet pro ose kundër (në gjuhën serbe natyrisht), i kam disa fotografi të Millosheviçit, i cili në të gjithë ato fotografi qëndronte afër me Rrahman Morinën. Në momentin që dalin nga salla praktikisht është momenti kur Jugosllavia ra. Këto janë disa nga fotografitë shumë me vlerë të miat që nuk i kam publikuar asnjëherë».

Humanizmi para fotografisë (fotografia që nuk u realizua qëllimshëm)

Në familjen Jashari, padyshim që vizitat e Rekes kanë qenë të vazhdueshme si para si pas luftës. Reka bëri shumë fotografi, dokumentoi shumë edhe rreth familjes Jashari por ajo që (nuk) e bëri ishte para fillimit të sulmeve, sepse humanizmi ishte para profesionit.

«Patëm një intervistë me Hamzën, bashkë me kolegët e gazetës ‘Zëri’, unë isha me ta. Kisha dy aparate me vete. Hamza më tha “Nëse mendon që shkon në Prishtinë edhe nuk t’i marrinë filmat, fotografo çka t’dush”. Unë nuk isha i sigurt nëse m’i marrin filmat ose jo, nëse mbërrij deri në Prishtinë ose jo. Sot kur e mendoj e di që kam bërë mirë, sepse edhe nëse do të realizoheshin atë fotografi, do të ishin shumë të rrezikshme për ta, sepse ata ishin të gjithë të armatosur dhe nuk kishte filluar lufta ende, as bombardimet ndaj tyre».

Ka shumë fotografi që Reka është krenar që është autor i tyre, ama publiku nuk i njeh, nuk janë të publikuara.

«Një e kam me një personalitet. Bëhet fjalë për Ibrahim Rugovën. Nuk e kam publikuar kurrë. Një tjetër është në vitet 90-ta, e burrit këmbëkryq në shesh, ajo tashmë është publike.

Skulptura që është sot në shesh, nuk ka të bëjë kurrgjë me fotografinë, nuk e ka përcjellë hiç mesazhin e emocionin e asaj fotografie. Në fakt nuk kam qenë hiç në dijeni, por përfundimisht s’ka të bëjë hiç me fotografinë».

Fytyra e fëmijëve në aparatin e Hazir Rekës

Edhe në këtë pjesë Reka nuk ndahet nga rrëfimet e luftës. Fotografitë më të shumta të fëmijëve i kishte shkrepur gjatë kohës kur ata zhvendoseshin me familjaret e tyre nga fshatrat nëpër male.

«Nuk duhet shumë përshkrim sepse fytyrat e fëmijëve flasin vet. Njëjtë siç është fotografia e refugjatit, fytyra e të cilit i përshkruan të gjitha».

Fotografia që nuk u bë kurrë

Në stacion të autobusëve kur Reka kishte mbërritur nga Lublana në Zagreb, pa një pamje jo fort të zakonshme, ose kontradiktore thënë më mirë. Kjo nuk ka të bëjë hiç me luftën, demonstratat e ngjarjet në Kosovë.

Në qytet në mesin e billboardeve të mëdha ku jepeshin reklama të filmave të ndryshëm ishte edhe një reklamë për një film erotik. Para atij bill-boardi po qëndronin dy motra nderi duke e shikuar reklamën, e prapa dy motrave të nderit qëndronte një fëmijë që i shihte ato.

E kjo fotografi do të mbetej veç në mendjen dhe kujtesën e Hazir Rekës, sepse nuk e pati me vete aparatin që ta nxirrte këtë fotografi.

Fotografi i gjyshes

Pos këtyre rrëfimeve Reka ka edhe një rrëfim ndryshe për një film që e krijoi shumë kohë më parë, sa gjyshja e tij ishte gjallë.

Më gjitha momentet më interesante të saj ai krijoi një film të shkurtër pa ngjyra për gjyshen e tij. Kishte pamje të saj tek lahej në mënyrën e atëhershme, pamje këto të cilat fotografi i ka para sysh edhe sot, pamjet e gjyshes se tij me flokët e gjatë të zinj.

Ky film audiencën e parë do ta kishte babanë e fotografit dhe të afërmit e tjerë në kohën kur gjyshja nuk jetonte më.

Filmi u dogj gjatë luftës së fundit në Kosovë.

E sa i përket lulëkuqeve të Kosovës, autori i fotografive ka një lidhje të pashkëputshme emocionale.

«E kam një seri fotografish me lulëkuqet, madje planifikoj të bëj një ekspozitë me to. Me tërheqin shumë kur i shoh, prandaj i fotografoj».

Në një fotografi tjetër, jashtë kornizave të luftës dhe demonstratave, shihet një pjesë jete e grave neë vendin tonë, gjatë një periudhe të caktuar kohore.

Dy gratë hasjane. Janë në lëvizje. Janë në ekspozim të gjatë. Si kolorit më ka pëlqyer. Mund të jetë viti 1989.

Murali në Ferizaj

Para këtij murali me fotografi të fotoreporterit Reka, një mural tjetër ishte me autor Reken, por me një fotografi tjetër që e kishte shkrepur ai. Të një fëmije me fotografinë e babait të tij që e mbante në dorë.

Nils Westergard është artisti amerikan që erdhi në atelienë e artistit Reka, pastaj i shkrepi një fotografi dhe e shndërroi në mural në qytetin e Ferizajt. Aparati që e ka në dorë Reka në muralin në Ferizaj është aparati që ai e përdori për t’i përcjellë ngjarjet më të rëndësishme, madje edhe masakrën e Reçakut. Gjatë asaj periudhe aparati ishte i bllokuar dhe funksiononte vetëm në sistemin manual, e megjithatë Reka arriti t’i dokumentojë fotografitë që bënë historinë e Kosovës.

Planet e afërme

Hazir Reka planifikon që në të ardhmen të botojë librin me punët e tij, me rrëfimet që i ka të freskëta edhe pas kaq kohesh dhe të lërë mbrapa punën e tij të dokumentuar në formë testamenti.

Hazir Reka nuk është veç fotoreporteri i luftës, ai bashkë me ketë profesion bart mbi shpatulla edhe shumë rrëfenja, shumë pamje të tjera të bukura që i jetësoji në paqe, në paqen e vendit tonë e jashtë tij.

Lulëkuqet e Kosovës, portretet bardhë e zi të gruas së tij, pamjet e shumta me shpendët në fluturim, e pamjet e gjyshes së tij janë vetëm disa nga grimcat e dashurisë së tij për fotografinë që i japinë një formë paqësore artit të fotografisë.  

E mbi rrëfimet e njerëzve të tillë ndërtohet kujtesa kolektive. Ama që vetë ky njeri të jetë pjesë e kujtesës kolektive për ne të tjerët, kjo i mbetet shoqërisë.

Fotoreporteri Hazir Reka ka në sirtarët e tij diçka që kalon mbi të lavdishmen e të bukurën. Gjithë këto detaje bëhen bashkë për të krijuar një histori të bujshme artistike dhe për të përmbushur qëllimin e njeriut që mbajti në qafë të varur kamerën, e cila u bllokua për një kohë, po prapë me të njëjtën Reka e zhbllokoi historinë e vërtetë të vendit tonë.

Të gjitha fotografitë janë perdorur me lejen e autorit.

/Gazeta Express