Bashkimi Europian konsideron se zgjedhjet e mbajtura në veri të dielën nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna. Unioni vlerëson se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet kthimit të përhershëm të serbëve në institucionet e Kosovës.
BE tha të hënën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet “sa më shpejt”.
“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre”, thuhet në komunikatën për shtyp.
BE-ja e ka përmendur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë si platformë të duhur për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkaq ka mirëpritur punën e institucioneve të sigurisë në Kosove për zgjedhjet në veri.
“BE-ja pranon se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhje që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje. Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet si zakonisht”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.