string(57) "ish-kampioni-i-ufc-denohet-me-burg-per-tentative-vrasjeje"

Ish-kampioni i UFC dënohet me burg për tentativë vrasjeje

Sporte tjera

Gazeta Express

25/03/2025 10:39

Ish-kampioni i peshave të rënda në UFC, Cain Velasquez, është dënuar me pesë vjet burg për një të shtënë që ndodhi në vitin 2022.

Velasquez pranoi fajësinë për tentativë vrasjeje dhe do të vuajë një dënim prej pesë vitesh, duke përfshirë kohën e kaluar tashmë në paraburgim, pas paraqitjes së tij në Gjykatën e Qarkut Santa Clara të hënën.

Lexo Edhe:

Megjithatë, sipas gazetarit të MMA, Josh Gross, gjykatësi Arthur Bolcanegra konfirmoi se Velasquez do të kreditohet me 1,283 ditë të vuajtura, që do të thotë se ai do të qëndrojë pas hekurave vetëm edhe 542 ditë.

Akuzat ndaj ish-yllit të UFC vijnë nga një incident në vitin 2022, ku ai ndoqi me shpejtësi një automjet tjetër me kamionin e tij dhe qëlloi me armë gjatë ndjekjes.

Automjeti që Velasquez po ndiqte mbante Harry Goularte, i cili drejtonte një çerdhe të cilën e frekuentonte djali 4-vjeçar i Velasquez në atë kohë.

Goularte ishte arrestuar disa ditë më parë për akuzën se kishte ‘ngacmuar seksualisht djalin në mënyrë të përsëritur’.

Ai ka deklaruar pafajësinë për akuzën e sjelljeve të pahijshme me një të mitur dhe do të përballet me gjyqin këtë verë.

Të shtënat e Velasquez goditën automjetin e Goulartes dhe plagosën njerkun e tij, i cili u qëllua në krah.

Pas shpalljes së dënimit, Patricia Goularte foli për gazetarët jashtë gjykatës.

“Ky dënim është jashtëzakonisht zhgënjyes. Ai bazohet në akuza të pabazuara,” deklaroi ajo.

“Janë pretendime të pabazuara. Ne po presim gjyqin e Harry-t për të vërtetuar këtë, pasi kemi një sasi të konsiderueshme provash. Është për të ardhur keq që sistemi gjyqësor dhe publiku mund të ndikohet nga thjesht një pohim pa fakte.”

Në një intervistë javën e kaluar para dënimit, Velasquez pranoi plotësisht përgjegjësinë për veprimet e tij dhe tha se ishte gati të përballej me pasojat.

“Ajo që bëra nuk ishte e drejtë,” pranoi Velasquez.

“E kuptoj këtë. Kam paguar, dhe do të paguaj çfarëdo tjetër që duhet të paguaj. Nuk mendoj se mund ta shlyej plotësisht, por mund të mësoj nga gabimet e mia dhe të ndihmoj të tjerët.

“Është e rëndësishme të keni komunikim të hapur me fëmijët tuaj. Kur shkoni në tualet me ta kur janë shumë të vegjël, mund t’i mësoni çfarë është e përshtatshme dhe çfarë jo, që ata të dinë t’ju tregojnë gjithmonë nëse diçka nuk është në rregull”.

“Sa i përket asaj familjeje dhe asaj që ata kanë bërë, nuk mund të ndiej urrejtje ndaj tyre. Kam gjëra të tjera për të cilat duhet të përqendrohem, si dashuria për fëmijët e mi dhe njerëzit që më rrethojnë”.

“Unë nuk mund të ushqej urrejtje për ta. U dëshiroj shërim në mënyrën më të mirë të mundshme, çfarëdo qoftë ajo. E kuptoj që edhe ata kanë traumat e tyre. Por nuk është e drejtë t’i përhapësh ato trauma te të tjerët”

“Jam i lumtur që nuk mund të drejtojnë më një çerdhe. Me kalimin e kohës, i kam falur ata dhe e di që fëmijët e mi janë të sigurt.” /GazetaExpress/