Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme që hodhi poshtë ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje për të rivotuar me postë, pasi akuzonte LDK-në për “manipulim votash”.
LDK thotë se ky vendim konfirmon përpjekjet e LVV për të kontestuar votën e lirë qytetare.
“Lidhja Demokratike e Kosovës përshëndet vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila me këtë akt ka vërtetuar përfundimisht ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e votave të ardhura me postë nga mërgata jonë në përkrahje të LDK-së. Ky vendim konfirmon edhe një herë se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të kontestuar votën e lirë të qytetarëve ishin të pabaza dhe politikisht të motivuara”, thuhet në njoftim.
Po ashtu thuhet se përpekja për të anuluar këto vota ishte një tentim i hapur ëpr të përmbysur vullnetin qytetar.
“Përpjekja për të anuluar këto vota përbënte një tentim të hapur për të përmbysur vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë në mërgatë, vetëm e vetëm pse ata nuk votuan sipas dëshirave të Vetëvendosjes. E gjithë kjo u shoqërua me një fushatë manipulimesh, presioni publik dhe shpifjesh nga akterë të Vetëvendosjes. Për më tepër, përmes videove të publikuara nga vetë aktivistët e kësaj partie, u dokumentua qartazi ndërhyrja dhe mbushja në masë e fletëvotimeve në kundërshtim me çdo standard demokratik”.
“Gjykata Supreme, si instanca më e lartë e drejtësisë në këtë proces, ka vulosur të vërtetën dhe ka riafirmuar parimin se vullneti i lirë i qytetarëve nuk mund të kontestohet nga asnjë forcë politike që nuk e pranon rezultatin zgjedhor. Ky vendim është fitore e së drejtës, e demokracisë dhe e mërgatës sonë, e cila me përkushtim ka ushtruar të drejtën e saj të votës, pavarësisht përpjekjeve për t’u mohuar”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për të mbrojtur çdo votë të qytetarëve tanë, brenda dhe jashtë vendit. Ne nuk do të lejojmë që demokracia të përdhoset nga manipulimi, propaganda dhe përpjekjet për të deformuar të vërtetën. Për LDK-në, kjo është një fitore institucionale dhe morale, ndërsa për Vetëvendosjen, një dështim i turpshëm që i ekspozon para qytetarëve si një subjekt që është i gatshëm të shkelë mbi parimet demokratike për interesa të ngushta politike. LDK do të vazhdojë të jetë një forcë e qëndrueshme, e përgjegjshme dhe e vendosur në mbrojtjen e rendit demokratik dhe të vullnetit qytetar në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Gazeta Express