string(43) "paramendoni-sikur-te-mos-dokumentohej-asgje"

«Paramendoni sikur të mos dokumentohej asgjë»

Arte

Gazeta Express

27/03/2025 15:59

Fjalimi i shkrimtarit dhe aktorit Shpëtim Selmani, me rastin e pranimit të çmimit Aktori më i Mirë, të ndarë nga Ministria e Kulturës, në kuadër të ceremonisë së ndarjes së çmimeve Vjetore për teatër 2024

Shpëtim Selmani

Lexo Edhe:

E nderuara juri, të nderuar punonjës të Ministrisë së Kulturës, i nderuar Ministër i Kulturës, kolegë, bashkëpunëtor, miq, më lejoni të shpreh falënderime dhe mirënjohje për këtë çmim që është jashtëzakonisht domethënës dhe ka një rëndësi të madhe për mua.

Duke shfrytëzuar këtë mundësi dua t’i them dy-tri fjalë përkitazi më këtë ditë.

Shfaqja shkruar nga Steven Leigh Morris është komplekse dhe përveç tjerash godet ashpër edhe racizmin. Por, le të ndalemi pak tek diçka tjetër jo më pak e rëndësishme për mua. Kur e mora ftesën për të qenë pjesë e shfaqjes Të Bardhët, kisha një ndjenjë refuzimi për rolin e Luisit, një regjisor teatri në fund të karrierës së tij që vuante nga një sëmundje e rëndë, por që gjithsesi nuk dorëzohej drejt qëllimeve të tij sado që ishin të diskutueshme.

Vazhdimisht kisha një refuzim për ta pranuar rolin para së gjithash për shkak të gjendjes shëndetësore të Luisit. Halla ime para disa kohësh kishte ndërruar jetë pikërisht nga e njëjta sëmundje. E kisha parë në momentet e fundit gjatë kohës sa dergjej në shtrat, ndërkohë që jashtë fishekzjarrët shkëlqenin me rastin e ndërrimit të motmoteve.

Ballafaqimi me një qenie njerëzore që është në momentet e fundit të jetës është i dhimbshëm, prekës dhe na jep mësime brilante mbi kuptimin e të jetuarit dhe mbi mënyrën se si e jetojmë atë.

Pas disa diskutimeve me Jetonin, Besin dhe Steven. U binda. Dhe mirë bëra.

Ngase në një mënyrë ky është funksioni i teatrit dhe i artit në përgjithësi, që të shkojmë përtej vetes sonë, ta njohim atë dhe ta provojmë lëkurën e tjetrit brenda situatave të ndryshme private, shoqërore, historike dhe politike. E dimë se mbi të gjitha teatri është një eksplorim i mprehtë mbi një individ të caktuar, në kuadër të kontekstit kohor ku jeton. Por natyrisht edhe një vështrim kritik.

Po jetojmë në një kohë tejet të brishtë njerëzore me relacione toksike. Në një kohë që shpesh nuk duket fare artistike. Në një kohë ku dominanca politike është e pashmangshme, ku mbijetesa shpesh është e pandershme me sentimentet tona, në një kohë kur bota jonë duket sikur më nuk është e jona. Kërkoj ndjesë për këtë.

Por nëse teatri dhe arti në përgjithësi nuk arrin të ndryshojë gjë të paktën duhet ta thotë dhe të përpiqet të jetë përçues i së vërtetës. Paramendojeni po të mos dokumentohej asgjë. Nuk do të ishim asgjë tjetër pos përfaqësues të një epoke të vdekur. Dhe kam bindjen se nuk do të donim të mos jemi dëshmitarë të asaj që është thelbësore për ne. Dashurisë, mirësisë, paqes. Gjëra për të cilat aspiron teatri dhe arti në përgjithësi.

Dua t’i falënderoj për mbështetjen e pakursyeshme ndër vite Qendrën Multimedia, Teatrin Oda, regjisorët dhe aktorët më të cilët kam punuar, punëtorët e teatrit për të cilët ushqej një respekt të madh.

Me këtë rast duhet ta përmend Steven Leigh Morris që na dhuroi një dramë thelbësisht njerëzore e delikate, regjisorin Ugzmajli për besimin e tij dhe dy kolegët e mi të çmuar e aktor të mrekullueshëm Verona Koxha dhe Bujar Ahmeti.

Dhe për fund më lejoni të shpreh falënderimet dhe dashurinë time për gruan, djalin, nënën dhe motrat e mia.

Shpresoj se nuk ju kam mërzitur. Faleminderit.

/Gazeta Express