Grupi i këshilltarëve bashkiakë të opozitës në bashkinë e Tiranës ka dërguar një letër drejtuar Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, duke kundërshtuar sipas tyre ndërhyrjet e Kryeministrit Edi Rama në punët e administratës vendore.
Ata shprehen se veprimet e tij, pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, dhe zëvendësimit të tij nga nënkryetarja Anuela Ristani, cënojnë autonominë e Bashkisë Tiranë dhe janë në kundërshtim me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore.
Në letër, grupi opozitar thekson se Kryeministri Rama ka shkelur parimet e autonomisë vendore duke e marrë administratën e Bashkisë Tiranë nën kontrollin e qeverisë qendrore. “Ky veprim cenon të drejtat e qytetarëve dhe autonominë e institucioneve vendore”, theksojnë ata.”Dënojmë fuqimisht ndërhyrjet e Kryeministrit në administrimin e Bashkisë Tiranë, të cilat janë në kundërshtim me standardet demokratike dhe parimet e qeverisjes së mirë”, shtojnë ata në letër.
Këshilltarët kërkojnë nga institucionet ndërkombëtare dhe Këshilli i Evropës të ndërmarrin hapa për mbrojtjen e autonomisë vendore dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe demokratik. “Ne kërkojmë një veprim të shpejtë dhe të vendosur për të garantuar që parimet e autonomisë vendore të respektohen në Shqipëri”, përfundojnë këshilltarët opozitarë. Ata gjithashtu kërkojnë që qeveria të distancohet nga vendimmarrja në Bashkinë Tiranë dhe të kthehet në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.