344 rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës diplomuan sot në një ceremoni që u mbajt në Komunën e Ferizajt.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në këtë ceremoni tha se FSK është dëshmi e sakrificës dhe atë e quajti pasardhëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ushtria nuk është thjesht një forcë e armatosur ushtria e jonë është një betim I përhershëm për atdheun tonë, është një përkushtim ndaj sigurisë dhe një garanci për paqen. Sot është një ditë e veçantë për ju dhe për dhe për të gjithë republikën e Kosovës. Sot 344 djem e vajza u bashkohen radhëve të FSK-së duke u bërë pjesë e një misioni tyre shenjtë mbrojtjes së atdheut të tyre, garantimit të sigurisë dhe mbështetjes së paqes në vendin tonë e përtej tij”, tha Osmani.
Osmani, duke iu drejtuar ushtarëve, tha se rruga e Kosovës euroatlantike është e qartë dhe e pakthyeshme.
“Me profesionalizmin dhe përgatitjen e bijave e bijve tanë ushtarak e profesionist po dëshmojmë se Kosova ka një ushtri të fortë e të denjë për të qenë pjesë e strukturave të mbrojtjes dhe sigurisë ndërkombëtare në shërbim të paqes dhe sigurisë e stabilitetit global”.
Në këtë ceremoni pjesë mori edhe kryeminstri në detyrë, Albin Kurti, në adresimin e tij, ai e quajti të veçantë këtë ceremoni të diplomimit, sepse “po ndodhë pikërisht në muajin e lavdisë sonë kombëtare, në muajin mars që nis me Epopenë e UÇK-së dhe përmbyllet me ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë”
“Diplomimi juaj sot në fund të muajit mars, vjen si një kapitull i ri pas lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së Aleancës Veri-Atlantike, vjen si vazhdim i amanetit për mbrojtje të atdheut dhe kontributit për paqe. Uniforma të cilën do ta bartni nga sot, është nder i posaçëm dhe përgjegjësi e madhe. Ajo është dëshmi e gjakut të dëshmorëve, që u flijuan dhe frymëzim për të ndërtuar të ardhmen. Prandaj, kujdesuni fort për të, ruajeni e nderojeni duke mbrojtur demokracinë dhe vlerat e saj”, tha kryeministri Kurti.
Duke iu drejtuar rekrutëve të rinj të FSK-së, ai tha se “ju jeni garanca më e fuqishme që populli i Republikës sonë do të jetojë në paqe, integriteti territorial do të jetë i pacenueshëm dhe sovraniteti i paprekshëm. Në funksion të realizimit të këtij vizioni mbështetja e qeverisë do të jetë e padiskutueshme, sepse e tillë është vendosmëria jonë për të ndërtuar kapacitetet tona mbrojtëse”.
Kurse drejtuar prindërve të rekrutëve, Kurti u shpreh mirënjohës për edukimin që ua keni dhënë bijave e bijve tuaj.
“Nga sot atdheu ynë qëndron mbi supet e tyre, e supet e tyre nuk do të lejojnë që kurrë atdheu të përulet. Si gjithmonë, përjetësisht, si shqiponja në qiellin e lirë mbi tokën e dashur, atdheu ynë do të jetë lartë e më lartë, thellë e më thellë”, tha në përfundim të fjalës së tij./Express/