Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar se një ngarkesë me fileto pule të ngrirë nga Brazili, e importuar përmes Portit të Durrësit, ka rezultuar e kontaminuar me salmonelë.
Sipas analizave të kryera më 21 mars në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), është konfirmuar prania e bakterit Salmonella Typhimurium. AKU njofton se produkti është bllokuar dhe se rasti është referuar në Prokurorinë e Tiranës, por nuk jep informacion mbi sasinë e mishit të ndaluar apo nëse një pjesë e tij ka hyrë në treg.
Ende mbetet e paqartë edhe data e mbërritjes së ngarkesës dhe emri i subjektit importues. Salmonela mund të shkaktojë infeksione të rënda tek konsumatorët, ndaj AKU bën thirrje për kujdes dhe raportim të çdo dyshimi mbi cilësinë e produkteve të mishit.