LeBron James dhe disa nga bashkëlojtarët e tij në ekipin Cleveland Cavaliers bënë një të ashtuquajtur “protestë modeste politike” kundër presidentit të sapozgjedhur atëherë, Donald Trump, përpara ndeshjes së tyre kundër Neë York Knicks.
Në dhjetor të vitit 2016, Cavaliers fituan bindshëm me rezultatin 126-94 kundër Knicks në “Madison Square Garden”.
James shënoi 25 pikë mbresëlënëse, ndërsa Kyrie Irving dhe Kevin Love gjithashtu kaluan kuotën e 20 pikëve.
Ishte një paraqitje e shkëlqyer nga Cavs, të cilët i dhanë fund një serie prej katër fitoreve radhazi të Knicks, falë edhe shkëlqimit të sulmuesit të tyre të fuqishëm.
Por, më shumë se sa vetë rezultati, një nga temat kryesore të diskutimit ishte veprimi i James para ndeshjes. Për herë të parë në karrierën e tij, LeBron vendosi të mos qëndrojë në hotelin e caktuar nga skuadra, i cili rastiste të ishte hoteli “Trump SoHo”.
Në fakt, disa nga bashkëlojtarët e James iu bashkuan atij në një hotel tjetër në Manhattan, dhe sipas një raporti të “Neë York Times”, kjo u përshkrua si një “protestë modeste politike”.
Pasi zgjodhi të mos qëndronte në hotelin kryesor të skuadrës, James këmbënguli se ishte një “preferencë personale” e tij që të gjente një vend tjetër ku të kalonte natën.
“Në fund të ditës, shpresoj që ai të jetë një nga presidentët më të mirë ndonjëherë për të mirën e të gjithëve — për familjen time, për të gjithë ne,” tha James për Trump. “Por është thjesht preferenca ime personale. Do të ishte njësoj sikur të shkoja në një restorant dhe të vendosja të haja pulë në vend të biftekut.”
James kishte mbështetur Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 dhe kishte bërë një paraqitje publike me të pak para zgjedhjeve.
“Duhet të përballemi me dhunën, në çdo formë, që komuniteti afrikano-amerikan po përjeton në rrugët tona dhe që e shikon në ekranet televizive,” tha James në atë kohë.
“Besoj se rindërtimi i komuniteteve tona duke u fokusuar tek fëmijët në rrezik është një pjesë thelbësore e zgjidhjes. Megjithatë, unë nuk jam politikan, nuk i di të gjitha gjërat që duhen për të ndalur më në fund dhunën. Por e di që na duhet një president që na bashkon dhe na mban të unifikuar.”
LeBron James dhe Hillary Clinton mbërritën në një miting në Cleveland Public Auditorium në nëntor të vitit 2016.
Pothuajse katër vite më vonë, në vitin 2020, James tha se NBA “nuk shqetësohej fare” për humbjen e Trump si shikues, pasi presidenti amerikan kishte thënë se i fikte ndeshjet kur shikonte lojtarët të gjunjëzoheshin gjatë himnit kombëtar. “Sinqerisht nuk mendoj se komuniteti i basketbollit është i mërzitur për humbjen e shikueshmërisë së tij, për faktin që ai nuk e sheh më lojën,” tha James pas humbjes së Lakers 105-86 kundër Oklahoma City Thunder. “Dhe kaq kam për të thënë.”/GazetaExpress/