Sekretari amerikan i Tregtisë ka mbrojtur vendimin e SHBA-së për të vendosur tarifa ndaj një grupi ishujsh të banuar vetëm nga pinguinë dhe foka.
“Tarifat në Ishujt Heard dhe McDonald u vendosën”, tha Howard Lutnick, “për të mbyllur zbrazëtirat absurde në sistem dhe për të parandaluar vendet e tjera që të transportojnë mallra përmes atyre ishujve për të arritur në SHBA”.
Bëhet e ditur se ishujt janë një nga vendet më të largëta në tokë dhe nuk kanë banorë të përhershëm, por ato janë shtëpia e një numri të madh pinguinësh dhe shpendësh deti.
Sipas Bankës Botërore, Bashkimi Evropian tashmë aplikon tarifa për këto ishuj, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ishujt kanë eksportuar sasi të vogla produktesh në SHBA vitet e fundit. Por në vitin 2022, SHBA importoi mallra në vlerë prej 1.4 milionë dollarësh nga territori, pothuajse ekskluzivisht në kategorinë “makineri dhe pajisje elektrike”, pa specifikime të sakta.
Raportohet se lista e Trumpit përfshinte gjithashtu Territorin Britanik të Oqeanit Indian, i cili është i populluar ekskluzivisht nga personeli ushtarak dhe kërkon një leje për ta vizituar.
Ndryshe, edhe pse kjo lëvizje duket absurde në pamje të parë, vendosja e tarifave në territorin e pabanuar nuk është domosdoshmërisht e kotë nga pikëpamja ligjore, politike apo ekonomike.
Megjithëse territori nuk ka banorë, ai administrohet nga Australia, dhe vetë territori ka një zonë ekonomike ekskluzive (EEZ).
Për më tepër, rajonet pa barriera doganore mund të bëhen një bastion i prodhimit në det të hapur në të ardhmen.
Një kompani mund të regjistrojë një depo dhe “teknikisht” të eksportojë mallra nga atje për të shmangur detyrimet doganore nga Australia ose Azia.