Shkruan: Qemal Rushiti
Nga një dritare nostalgjie dhe vështrimi kritik, ky shkrim na fton të ndalemi një moment dhe të mendojmë: Çfarë ndodhi me Tetovën? Dikur një nga qytetet më të gjalla, të pastra dhe të zhvilluara të rajonit, sot lëngon mes neglizhencës, mungesës së vizionit dhe shpërfilljes institucionale. Ky reflektim nuk është thjesht kritikë, por një thirrje e heshtur për zgjim dhe ndërgjegjësim.
Tetova Gjysmake
Çfarë po ndodh vallë me qytetin tonë legjendar?
Dikur, për gjelbërimin dhe ekologjinë, Tetova njihej si qyteti i dytë më i pastër pas Ljubljanës në ish-Jugosllavi. Në ekonomi, sport dhe kulturë, Tetova ishte gjithmonë në garë.
Ndërsa për bujarinë dhe trimërinë, flet më së miri historia.
Por sot?
Po të bëjmë një krahasim të thjeshtë, e kuptojmë pse ky qytet duket… gjysmak:
Arsimi është përgjysmuar, nga shkollat fillore e deri te universitetet.
Shëndetësia është në gjendje të rëndë. Populli vdes i ri, ndoshta sepse mungojnë mjekët, kushtet, dhe përkujdesja.
Kultura është e braktisur. Shtëpia e kulturës është pa “të zot”.
Ekologjia? Pa sistem kanalizimi funksional, pa riciklim, me ajër të ndotur dhe mbeturina kudo.
Gjelbërimi? I zëvendësuar me pluhur dhe smog. Kodrat dikur të gjelbra tani duken kafe.
Pollogu? Një fushë që dikur simbolizonte begatinë, sot pret vetëm kthimin e kurbetqarëve që shpesh paragjykohen nga vetë rezidentët.
Popullsia? E përgjysmuar. Të rinjtë shkojnë në Gjermani, të mbeturit në fundjavë udhëtojnë në Ferizaj.
Infrastruktura është kapitulli i dhimbjes më të madhe:
Stadiumi është i braktisur, rrugët janë baltë dhe gropa. Dy bulevardet mezi i japin frymë qytetit. Shtyllat dekorative përfunduan në mes të asgjësë, pranë bagerëve që “barikadojnë” ndërtimet e papërfunduara. Pak asfalti që ka, të tund si në masazh pa pagesë!
Dhe mes gjithë kësaj kaosi, njerëzit duartrokasin një tjetër “përurim” bulevardi, edhe ai, gjysmak.
Përfaqësuesja e komunitetit mysliman (Myftinia), gjithashtu e përgjysmuar!
Unë nuk jam tetovar me adresë, por jam me zemër. Kam kaluar rininë atje. Prandaj më dhemb kur shoh se qyteti që dikur më mësoi jetë, sot duket i përhumbur. Emrat e rrugëve nuk lexohen, historia zbehet, dhe përfaqësuesit politikë… ecin si në “slow motion”.
A ka shpresë për Tetovën?
Mos vallë na ka mallkuar historia, apo na ka përpirë loja e “Monopolit të përdhunuar”?
Nuk di të them. Por di që, nëse heshtim, humbim edhe atë pak që ka mbetur.
Tetovë, 7 prill 2025
Q.R.