Në Hanin e dy Roberteve hapet ekspozita e artistit Daut Berisha, titulluar “Nga e Para”. Ekspozita me vizatime dhe skica, kuruar nga Shkëlzen Maliqi do të hapet më 9 prill nga ora 19:00.
Shkëlzen Maliqi
Nga piktorët modernistë kosovarë që karrierat artistike e kanë zhvilluar jashtë Kosovës, Daut Berisha (1946-2023) është ndër më të famshmit si emër por që, paradoksalisht, vepra e tij nuk njihet pothuajse fare. Po kërkove informacione për artin e tij në publikimet e pakta të respektueshme për artin modern të Kosovës, mund të gjesh vetëm disa reprodukime të veprës “Triptik” të vitit 1980, dhe nga disa reprodukime nga i ashtuquajturi “Cikli blu”. Aty-këtu eventualisht gjenden edhe reprodukcionet e cilësisë të dobët të disa pikturave dhe skulpturave, si dhe shkrime dhe raporte gazetareske mbi ekspozitat në Francë ku jetonte dhe punonte prej vitesh.
Vepra më e reprodukuar e Daut Berishës është “Triptiku” ( viti 1980) e publikuar në monografinë “Arti bashkëkohor i Kosovës” (GAK, 1988). Te “Triptiku” vërehet qartë, edhe nga vetë titulli, influenca e Fransis Becon, sepse ky piktori britanik e kishte zakon që motivet që i pikturonte t’i bënte në tri tablo paralele, me perspektiva të ndryshme. Dauti nuk ndoqi besnikërisht brutalizmin emblematik të Beconit me paraqitjet e trupit të njeriut në gjendje distorzioni, si mish i sapotherrur në kasaphane që ende pikon gjak, por e parapëlen një figuracion të zbutur me trajta harkore dhe senzuale, jo në gjendje trishtimi nga implodimi i brendshëm çfarë shfaqej te Beconi, por si skena trishtimi të shikuara jashtë, në ambiente sociale të dehumanizuara, imazhe të të mjeruarëve e të fatkeqëve të botës. Edhe titujt e veprave që i jepte Dauti janë depresive: “Erësirë”, “Qorrsokak” e të ngjashme që sugjerojnë ndjesinë e një dëshpërimi ekzistencialist. Madje edhe një tablo tjetër, ndër të paktat që i kam parë, përkundër titullit “Drita e shpresës”, në të vërtetë nuk të ndjellë aspak optimizëm. Te kjo pikturë shihet një aurë drite që përhapet nga dritarja e çatisë në një dhomë mansardeje ku poshtë dritares janë të ulur tri persona të kërrusura si në ankth, me kokat e futura ndër gjunjë, si të pashpresë, ndonëse, paradoksalish, – dhe ky është mbase mesazhi subtil i piktorit, – ata mjerana, nëse do t’i hapnin sytë, do të shihnin se sa pranë e kanë dritën e shpresës!
I përmenda këto dy piktura, si ndihmesë për dekodimin e artit të Dautit, por nuk do të shkoja më larg në interpretime sepse më mungon njohja më e plotë të opusit të tij krijues. Pse Dauti ishte hezitues në promovimin e artit të tij, sidomos në vendlindje? E pengonin rrethanat e 80-tave dhe 90-tave? Po, pas çlirimit ç’hall kishte?
Në të vërtetë, në vitin 2015 Dauti e pranon ftesën e Galerisë Kombëtare të Kosovës për të organizuar ekspozitën, që do të ndodhte me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij. Dauti ishte i entuziazmuar, porositi shumë pëlhura dhe ngjyra, punoi një kohë… Por, pastaj, hezitoi… Sikur diçka e ndalte. Sëmundja tinzare që do t’ia shuaj jetën e tij në vitin 2023, apo mëdyshjet tjera? Për studion e tij, se çka ka mbet në te nga veprat nuk ka shumë dëshmitarë, të rrallë ishin ata që i lejonte të futen brenda…
Por, lajm i mirë është se arti i tij së shpejti do të bëhet i qasshëm. Në Paris janë kryer formalitetet juridike rreth trashëgimisë që e ka lënë Dauti. Veprat do të kthehen në Kosovë te familja Berisha. Pra, ka shpresë që do të mund ta shohnim një ekspozitë retrospektive të artit të tij. Urojmë që kjo të ndodhë sa më parë.
Për këtë rast, Hani i 2 Robertëve po e përmbush një dëshirë të kahmotshëm të Dautit, për organizimin e një ekspozitë të veprave të tij. Çdo herë që vinte në Prishtinë, ai gjente kohë ta vizitonte Hanin ku kalonte ca çaste relaksi dhe shprehte dëshirën që të sjellë një ekspozitë në Han, e konsideronte si një ndërmarrje fisnike shfrytëzimin e lokalit gastronomik si galeri arti. “Arti me një gotë vere të kuqe, do të ndihesha si ne Dôme Café të Montaparnasit në Paris!”, thoshte Dauti.
Fal bashkëpunimit me vëllain e tij Arben Berishën, na u dha mundësia që të prezantojmë punët e hershme të Dautit, vizatimet dhe skicat, një sihariq përmes të cilit publiku i Kosovës do të mund të sheh hapat e tij të parë në krijimtari, kur hulumtonte dhe në mënyrë të padjallëzuar shpaloste talentin e tij. Këto vepra shpesh duken të pakompletuara, dhe gjithsesi kanë qenë prova hulumtuese, skica dhe varietete për realizimin e ndonjë teme që e kishte në plan ta realizonte si pikturë, si p.sh. ka një dyzinë portretesh të Skendërbeut, ose portrete të një vajze të bukur me flokët e rregulluara në një mënyrë karakteristike, me një tufë mbi ballë të ngritur lartë si një kreshtë lastimi prej aristokrateje, që ndonjëherë merr edhe formën e sqepit të shqiponjës krenare, në pikanteri e Dautit që duhet të zbërthehet se a është pjellë e fantazisë së tij, apo skica për portret të ndonjë heroine historike ose legjendare.
Kjo përzgjedhja nga qindra sosh, e vizatimeve kroki me lëvizje të shpejta, të skicave nëpër gazeta, kolazheve… shumica të panënshkruara, gjithsesi e kanë një dorëshkrim mjeshtërie dhe talenti të rrallë. Janë vepra në vete.
Dhe ka shumë kuptim që, pasi na ka munguar shumë kohë një ekspozitë e tij, që artin e Daut Brishës të fillojmë ta njohim nga e para, me veprat e tija të hershme.
Mirësevjen në vendindje, Daut.
(Mars / Prill 2025)