Dorëheqja e Albin Kurtit nga pozita e kryeministrit dhe dorëheqjet e të tjerëve nga pozitat e zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave u njohën të shtunën nga komisioni i përkohshëm parlamentar për verifikimin e mandateve. Kjo, sipas nënkryetares së LDK-së, do të thotë se nga 27 marsi, kur u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve, “qytetarë të thjeshtë kanë marrë vendime në ndërtesat e Qeverisë”. Hykmete Bajrami tha se do të bëjnë kallëzim penal e më pas do ta shqyrtojnë edhe mundësinë për dërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese. Ish-kryetari i kësaj gjykate, Enver Hasani, ka thënë më herët se Qeverinë do të duhej ta udhëhiqte Besnik Bislimi dhe kabineti qeveritar të përbëhej vetëm nga ata si ai që nuk kanë fituar mandat deputeti. Vendimet e marra në këtë periudhë kohore, ai thotë se nuk janë ligjore.
Gazeta Express
Albin Kurti të shtunën u betua si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njohën dorëheqjen e tij dhe të anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar që fituan ulëse atje, duke i futur deklarimet e tyre në procesverbalin e takimit të komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Kjo mundësoi që raporti i këtij komisioni të kalonte me votim unanim (120 nga 120 deputetë votuan për të), për t’ia lënë radhën betimit të deputetëve, i cili u bë më pas.
Albulena Haxhiu u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit. Në dy tentativa, ajo mori 57 vota, duke dështuar të zgjedhet kryeparlamentare.
Seanca konstituive u ndërpre për të vazhduar të hënën në orën 15:00. Ajo kishte nisur të martën dhe as të enjten nuk mundi të vazhdonte më shumë sesa te procesi i votimit të raportit të komisionit të përkohshëm.
Të martën, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja votuan kundër këtij raporti, pasi thanë se ndryshe do ta shkelnin ligjin. Thanë se Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë do të duhej të jepnin dorëheqje paraprakisht, sipas ligjit të ri për Qeverinë. Të enjten, LVV-ja përmes kryesuesit të seancës, deputetit të saj Avni Dehari, refuzoi ta hidhte në votim raportin.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha dje se dorëheqjet u përfshin në procesverbalin e takimit të komisionit. Sipas tij, LVV-ja po mundohej ta bllokonte konstitiuimin e Kuvendit për shkak se nuk i kanë votat e nevojshme.
“Po e shihni atë që ua kemi thënë prej fillimit, krejt bllokada që ka ndodh këto katër ditët e fundit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është për faktin që sapo e patë, se këta s’kanë numra. Sepse ishin 52, qenkan bërë 57. Nuk besoj që do të bëhen 61”, tha ai.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se nuk kanë ndryshuar qëndrim rreth dorëheqjeve që i kërkuan, por se “janë krijuar rrethana të reja” që mundësuan që komisioni të mblidhej dhe ta bënte “evidentimin e deklaratave publike të kryeministrit dhe ministrave dhe i ka pranuar të njëjtat si dorëheqje”.
Ajo tha se kjo nënkupton se nga 27 marsi, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet, “të gjithë këta të cilët sot e kanë bërë betimin kanë bërë shkelje duke ushtruar funksionin e kryeministrit, respektivisht ministrave”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës do të bëjë kallëzim penal lidhur me ushtrimin e mandatit që këta e kanë bërë nga data 27 mars deri më sot”, tha Bajrami.
Nuk e përjashtoi as mundësinë e dërgimit të kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese.
“I bie që nga data 27 mars deri më sot, qytetarë të thjeshtë kanë marrë vendime në ndërtesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, fillimisht do të bëjë kallëzim penal e mandaj do të shohim hapat edhe për trajtim në Kushtetuese”, tha deputetja.
“Vendimet e Qeverisë nuk janë ligjore”
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha se zyrtarët e LVV-së “po e personalizonin” çështjen e Qeverisë në këtë kohë.
Mbledhjen e Qeverisë të mërkurën do të duhej ta drejtonte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, sipas Enver Hasanit, i cili tha të martën në “Context” në ATV se në kabinetin qeveritar do të duhej të ishin vetëm ata që s’kanë fituar mandat deputeti.
Albin Kurti, i cili e drejtoi atë mbledhje të Qeverisë, tha se ka dhënë dorëheqje dhe se nuk mund të bënte “më shumë se kaq”, pasi kjo, sipas tij, “do të ishte braktistje e institucionit” dhe “vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare”.
“Por me Qeveri në detyrë nuk nënkuptohet Albin Kurti dhe këta që janë”, thotë Hasani. “Në momentin që Kushtetuta thotë mandati fillon me certifikim – dhe ligji është i qartë, e ke zbatu, e ke krijuar një ligj që e elaboron këtë dispozitë kushtetuese – zëvendëskryeministrat dhe ministrat që s’janë zgjedhë, ata i zëvendësojnë. Dhe kështu është vepruar edhe në të kaluarën, nuk ka qenë problem”.
Qeveria në detyrë, sipas tij, “përbëhet prej zëvendëskryeministrit, që në atë rast do të kishte me qenë ushtrues detyre i kryeministrit në detyrë, sepse ai s’ka mandat”. Në detyrë, do të mbeteshin “edhe zëvendësit e ministrave”, thotë ai.
Qeveritarët që janë zgjedhur deputetë “nuk është dashur t’i certifikojë KQZ-ja”, tha Hasani. Në atë moment, ai tha se qeveritarët “është dashur t’i caktojnë ata që nuk janë certifikuar” për ta drejtuar Qeverinë.
Hasani tha se vendimet që i mori sot Qeveria në detyrë nuk janë ligjore nëse sfidohen në Gjykatën Kushtetuese.
“Derisa s’i sfidon kurrkush në gjykatë, ato ligjore janë. Kurrkush s’po i sfidon dhe u krye muhabeti. Por nuk janë”.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...