Xhiroja e 30-të e Superligës së Kosovës u mbyllë sot me dy ndeshje mjaft interesante, të luajtura në Gjilan e Drenas.
Ballkani u ndalë me barazim nga Feronikeli ’74 në Drenas, derisa Gjilani barazoi në frymën e fundit ndaj Dukagjinit si vendas.
Xhiroja e 30-të nisi të shtunën në “Liman Gegaj”, aty ku Malisheva i bëri konak Llapit. Ky i fundit arriti fitore të madhe prej 3-1, duke i ikur zonës së barazhit.
Të dielën u luajtën edhe dy ndeshje tjera.
Fillimisht, Drita po luante ndaj Suharekës si mysafire, duke marrë një fitore të rëndësishme prej 2-1.
Ndërsa, Prishtina barazoi në kryeqytet me Ferizajn, pa u shënuar asnjë gol.
Me fitoren e kësaj xhiro, dhe me barazimin e Ballkanit, Drita tashmë ka një epërsi prej 12 pikësh në krye.
Me gjashtë pikë nga gjashtë ndeshjet e ardhshme, Drita edhe zyrtarisht do të shpallet kampione e Superligës së Kosovës.
Ndonëse në krye pothuajse gjithçka është definuar, në pjesën e poshtme të tabelës ende është një ‘lëmsh’.
Prishtina, Llapi, Gjilani, Dukagjini e Suhareka po luftojnë për t’i ikur barazhit dhe zonës që të dërgon në Ligën e Parë.
Suhareka është më e rrezikuara, pasi është në pozitën e nëntë në tabelë me 33 pikë, derisa para saj në vendin e tetë është Dukagjini me 37 pikë.
Gjilani zë pozitën e shtatë me 39 pikë, aq sa kanë edhe Llapi në vendin e gjashtë dhe Prishtina në vendin e pestë.
I rrezikuar paksa, por më i qetë është Ferizaj në vendin e katërt, me 42 pikë të tubuara.
Vendi i tretë i përket momentalisht Malishevës me 47 pikë, derisa Ballkani ka 54 pikë.
Me 66 pikë në krye është Drita.
Feronikeli ’74 veçse është përshëndetur me Superligën, duke u kthyer në Ligën e Parë. Skuadra nga Drenasi ka vetëm 15 pikë pas 30 xhirosh.
Xhiroja e ardhshme në Superligë përfshin këto ndeshje: Gjilani – Suhareka, Dukagjini – Feronikeli ’74, Llapi – Prishtina, Ferizaj – Drita dhe Ballkani – Malisheva./GazetaExpress/
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...