Kryeministri Edi Rama u përgjigj sot përmes rrjeteve sociale ndaj komenteve që ngrejnë pyetje mbi mundësinë e tij për të vizituar SHBA. Ai theksoi: “Vizitën e fundit në SHBA e kam pasur kur kam pasur punë të shkoj në SHBA.”
Për komentuesit që pyetën nëse ai kishte ndonjë pengesë për të udhëtuar, Rama shtoi me humor: “Ty të kanë thënë se nuk shkoj dot unë në SHBA? Kush ta ka thënë, non grata ta ka thënë?”
Duke u përballur edhe me pyetje rreth statusit “non grata” të Sali Berishës, ai u shpreh: “Non grata u hoq ajo, se nuk e kam marrë vesh këtë informacion?” Dhe më pas shtoi, “Kur nuk do të shohë e të dëgjojë njeriu është komplet e kotë.”
Rama përmendi se nuk ka arsye për të diskutuar më shumë mbi këtë çështje dhe e konsideroi të parëndësishme për momentin. “Ka gjëra më të rëndësishme se non grata“, përfundoi ai.