string(52) "vlen-ia-tregon-deren-taravarit-per-dalje-nga-qeveria"

VLEN ia “tregon derën” Taravarit për dalje nga qeveria

Maqedoni

Gazeta Express

22/04/2025 12:22

Çdokush që bashkëpunon me BDI dhe Ali Ahmetin, të cilin e kemi akuzuar dhe vazhdojmë të akuzojmë për korrupsion, krim dhe keqpërdorim 20 vjeçar të pozitave publike nuk është e mundur të jetë pjesë e qeverisë. Kështu është shprehur sot, i pari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në pyetjen gazetareske se si do veprojnë pas ndarjes së Arben Taravarit dhe fraksionit të tij, nga koalicioni VLEN, shkruan Portalb.mk. 

Sipas tij, është e panatyrshme që një subjekt politik në qeveri që bashkëpunon me opozitën të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë.

Lexo Edhe:

“Ne si VLEN sollëm vendimin, me të cilin është i njohur opinioni. Me partnerët e qeverisë do të sjellim edhe vendimin për fatin e koalicionit qeveritar”, tha Kasami.

Për komunikimet e Arben Taravarit dhe kreut të BDI-së, Kasami tha se kanë pasur dyshime dhe informata shumë më herët, para fillimit të vitit 2025.

“Por, informatën më konkrete e kemi marrë nga mediat. Në një takim që kemi pasur të përbashkët në Prishtinë, ai vet e pranoi”, deklaroi Kasami.

Brenda javës, pritet që koalicioni VLEN të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski ku në rend dite do të kenë pikërisht çështjen që e paralajmëroi Kasami: prezencën e Arben Taravarit, ministrit aktual të Shëndetësisë, në qeveri.

Kujtojmë se, koalicioni VLEN, partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së në qeverinë aktuale nuk po i jeton ditët më të mira të qeverisjes. Arben Taravari dhe fraksioni i tij kanë vendosur që në zgjedhjet lokale, që janë të planifikuara për në muajin tetor, të shkoj ndaras nga koalicioni VLEN, me çka e vuri në pikëpyetje edhe prezencën e tij në qeveri.

VLEN u shprehën se Arben Taravari është vetëpërjashtuar nga koalicioni, dhe se koalicioni ditëve në vijim do të konsolidohet edhe më fortë dhe do të shndërrohet në një parti politike.