Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama dhe partitë që refuzuan koalicionin me opozitën, gjatë një takimi në Korçë, ku u prezantuan kandidatët e “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për zgjedhjet e 11 majit. Berisha krahasoi mënyrën e të folurit të Ramës me kërcënimet e Nuredin Dumanit në sallën e gjyqit, duke e akuzuar se po përdor shantazhe dhe shpifje për të mbajtur pushtetin.
“Rama flet si Nuredin Dumani në sallën e gjyqit, me kërcënime, sharje dhe shpifje. Ai erdhi këtu dhe mendoi se do të blinte Ilir Vrenozin. Po nuk e di se më të fortë se çdo gjë janë karakteri dhe morali i njeriut”, tha Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal dhe te gjendja ekonomike e qytetarëve të Korçës, duke thënë se ata janë lënë në varfëri nga politika e qeverisë së PS. Ai theksoi se koalicioni “Shqipëria Madhështore” ka një plan për zhvillimin e Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës, duke i cilësuar qytetarët e kësaj treve si një pjesë të rëndësishme të historisë dhe qytetërimit shqiptar dhe evropian.
“Korça, korçarët dhe të gjithë shqiptarët kanë vuajtur gjatë këtyre 12 viteve të qeverisjes së Edi Ramës. Ata kanë njohur varfërimin më të thellë, por Korça është gjithashtu një potencial i madh për zhvillimin e vendit”, shtoi ai.