string(102) "ramush-haradinaj-ia-zbulon-takimet-me-kurtin-limajt-dhe-e-sulmon-ashper-cfare-u-tha-mbreme-ne-pressing"

Lajme

Gazeta Express

23/04/2025 14:45

Ramush Haradinaj ia zbulon takimet me Kurtin Limajt dhe e sulmon ashpër – çfarë u tha mbrëmë në Pressing

Lajme

Gazeta Express

23/04/2025 14:45

Edhe pse janë bërë dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova ende nuk i ka institucionet e reja të formuara. Përveç Qeverisë, nuk është formuar as Kuvendi, për shkak të ngërçit të krijuar lidhur me zgjedhjen e kryetarit të parlamentit. Kjo situatë, kryesisht është për shkak të qëndrimeve të barrikaduara nga partitë politike dhe kjo më shumë nga ato që deri dje ishin në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, të cilat hedhin poshtë çdo mundësi bashkëpunimi mes tyre dhe Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të cilat kërkojnë nga kjo e fundit një figurë unifikuese për këtë pozitë, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë, jo të gjitha partitë që vijnë nga opozita i kanë ‘‘mbyllur derën’’ LVV-së. Bëhet fjalë për NISMA-n e Fatmir Limajt, parti e cila kishte garuar në zgjedhje së bashku me AAK-në e Ramush Haradinajt, si koalicion.

Lexo Edhe:

Qëndrimeve të këtyre partive kundër bashkëpunimit me VV-në, u kishte qëndruar mbrapa fuqishëm edhe vetë Fatmir Limaj. Të paktën deri në përfundimin e zgjedhjeve.

Vetë Limaj, pak ditë mbas zgjedhjeve, kishte ‘‘lënë në harresë’’, qëndrimet dhe deklarimet e tij dhe ato të koalicionit në të cilin ai bënte pjesë, kundër Kurtit, duke i ‘‘dhënë shenja’’ për bashkëpunim mes tij dhe liderit të VV-së.

“Unë jam i gatshëm me i ndihmu kryeministrit tim që i shërben vendit. Unë jam i gatshëm me i ndihmu kryeministrit, nëse kërkon ndihmën time në shërbimin të vendit. Gjithmonë (edhe nëse është Albin Kurti). Për këto tema nacionale, që jam duke folur, gjithë. Gjithë kam qenë”, kishte thënë Limaj.

Ky qëndrim krejt i ndryshim i Limajt, pas zgjedhjeve, me ato para zgjedhjeve, zuri në befasi të gjithë skenën politike, e sigurisht edhe aleatin e tij të koalicionit, Ramush Haradinajn, tek i cili pos befasisë, kishte krijuar edhe irritim.

Lidhur me këtë, Haradinaj ka bërë disa prononcime, ndër to, ishte ajo e para disa ditësh ku ai ka deklaruar se komunikimin me Limajn e ka ndërprerë që nga ndryshimi i qëndrimit të këtij të fundit.

Qëndrimet e tij rreth gjithë kësaj situate i ka shprehur mbrëmë në emisionin Pressing të televizionit T7, ku ai është treguar shumë i ashpër ndaj kryetarit të NISMA-s.

Haradinaj në emision ka theksuar se Kurti e Limaj, janë në komunikim të vazhdueshëm.

“Ai(Limaj) është në komunikim të vazhdueshëm me Kurtin, kanë ndodhur disa takime. Takimin më zyrtar e kanë pasur më 4 prill, të kafiteria BOHO në katin e dytë, kanë qëndru goxha gjatë të dy. Ne kemi qëndrim të qartë, nuk do të luajmë me dy karta. Ne jemi përcaktu për qeverinë e opozitës, do t’i mbesim besnik kësaj rruge”, tha Haradinaj.

Tutje, i pari i AAK-së, për dallim nga komenti më lartë, ka dhënë opinione më të forta edhe për Kurtin edhe për Limajn, duke e quajtur njërin mashtrues, e tjetrit duke ia ‘‘mbyllur derën’’.

“Me mu ka përfundu bashkëpunimi, edhe me pas jetën e varuar me Limaj, tri votat e tij nuk i dua. Asnjëherë s’kemi diskutu që njëri nga ne me shku me mashtruesin”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka shkuar edhe më tej mbrëmë, duke e bërë Limajn ‘‘dorë të zgjatur’’ të Serbisë.

“Nëse Fatmir Limaj bëhet shkaktar me vazhdu Albin Kurti atëherë është dorë e zgjatur e Serbisë, e kemi zbulu edhe një – e kemi pasur në ekip e s’e kemi dit. E paskemi pas të infiltru në radhët tona”, ka thënë Haradinaj.

Këto komente të të parit të AAK-së, s’kanë kaluar pa reagime.

Qysh mbrëmë këshilltari i Limajt, Albert Maxhuni, ka thënë se Haradinaj e la Nismën pa grup parlamentar në vitin 2019, teksa thotë se ai njoftoi për dorëheqjen pa u konsultuar me partnerët.

‘‘Le t’i kujtojë dikush z. Haradinaj se fjala e Limajt dhe votat e NISMA-s e bënë Kryeministër në vitin 2017, ndërsa ai, si “mirënjohës”, e rrëzoi Qeverinë pa u konsultuar me partnerët (për dorëheqjen u njoftuam vetëm në mbledhje të Qeverisë). Ndërsa në vitin 2019, e la NISMËN pa grup parlamentar’’, ka thënë ai.

Përveç tij, është edhe Vesel Krasinqi nga NISMA i cili i ka reaguar Haradinaj, duke i cilësuar komentet e këtij të fundit si “të papranueshme dhe për keqardhje”.

“Kryetari Limaj asnjëherë nuk ka qenë dorë e zgjatur e Serbisë, siç u tha me të padrejtë nga një bashkëluftëtar. Ai ka kontribuar për vendin si në kohë lufte, ashtu edhe në paqe,” ka theksuar Krasniqi.

SQARIM për AAK-n dhe z.Haradinaj !

Me gjithë konsideraten për z.Haradinaj dhe familjen e tij për kontributin e dhënë për çlirimin e vendit, debatin dhe fjalorin të cilin e ndëgjuam sonte vërtet është për keqardhje nga një ish-Kryeministër, e aq më tepër për liderin Limaj, i cili dikur pa asnjë kusht e mbështeti për kryeministër z.Haradinaj duke anashkaluar veten dhe mbështetësit e NISMAsocialdemokrate, i cili konsideroj se është për të mirën e vendit që mos të kemi vakum institucional.

Kryetari Limaj asnjëher nuk ka qenë dor e zgjatur e Serbisë ( marre të thuhet nga një bashkëluftëtar) dhe nuk ka punuar në dëmë të vendit, ai ka kontribuar si në luftë ashtu edhe pas luftes për popullin e Kosovës dhe vendin tonë.

Debatin e z.Haradinaj që dëgjuam sonte i cili shpërfaq mllefin ndaj kryetarit Limaj, gjoja për tradhti se u largua nga AAK, ju rikujtojmë z.Haradinaj se kogja me krenari  dikur keni prishur grupin parlamentar të NISMA-s, duke marr deputetin Haxhi Shala dhe jo vetëm, por duke ndërhyr në mesin e dy shokëve që nga fëmijëria, e që e konsideruat si sukses tuajin.

Ju sqarojmë se z.Fatmir Limaj nuk është pronë e askujtë , ai është lider i NISMAsocialdemokrate dhe pas tij jan hiq më pak se 30 mij mbështetës, të cilët i kanë dhënë besimin për punën e dëshmuar dhe veprat e tij për vendin.

Vërtet kur po ndëgjojmë liderë të subjekteve politike, duke përdorur fjalor fyes, linques dhe shumë mllef ndaj liderëve tjerë politik, më shtohet dhe më përforcohet bindja edhe më shumë se me të vërtet z.Fatmir Limaj është politikan i përmasave ndërkombëtare, i cili në fjalorin e tijë nuk ka vend për fyerjet, përqarjet siq bëjnë disa të tjerë.

Ne nuk jemi pronë e askujtë!

Ne punojmë për interesin e vendit,

Ne jemi me ju kryetar Limaj,

Ne jemi me NISMAsocialdemokrate!’’, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, Limaj ka mohuar që të jetë takuar me Kurtin

“Jo, jo bre jo se marova t’u ju thanë. Kush t’më thirrë, takohemi, kam thënë”, ka deklaruar ndër të tjera Limaj.

Po ashtu, ai ka theksuar se Kosova duhet t’i ketë institucionet e saj.

“Shpresoj gjërat do të ndryshojnë ditët në vijim. Vërtetë është një lojë nervash. Unë besoj që në ditët ën vijim, të gjithë do të angazhohemi që të dalim nga kjo situatë dhe Kosova t’i fitojë institucionet e veta. Më e rëndësishme se gjë tjetër, Kosova nuk e ka luksin me mbetë pa institucione”, ka thënë Limaj.

Ndërsa sa i përket raportit mes tij dhe Haradinajt, Limaj nuk është deklaruar, duke përjashtuar këtu komentet që i ka bërë muaj më parë duke theksuar se edhe pse kanë qenë pjesë e një koalicioni, ata janë parti të ndara.  /GazetaExpress