Më 23 prill shënohet Dita Botërore e Librit dhe të Drejtave të Autorit që nga viti 1995, kur UNESCO vendosi ta shënjojë një ditë e cila do të njihej ndërkombëtarisht si ditë kushtuar librit dhe atyre që e shkruajnë
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë ka të përpiluar ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejta të Përaferta. Në nenin 38 të këtij ligji thuhet: Në rastet kur vepra e autorit, varësisht nga natyra e saj, mund të riprodhohet edhe për përdorim privat në kuptim të nenit 44 të këtij ligji në formë të realizimit të fiksimit audiovizuel, autori ka të drejtë në një pjesë të kompensimit të veçantë për një riprodhim të tillë të veprës së tij.
Megjithatë nuk ka statistika ose të dhëna sidomos për vitet e fundit, përkatësisht nga 2023 e tutje, sa raste janë të denoncuara, sa padi janë ngritur dhe a kanë rezultuar të suksesshme. Sipas këtij ligji në rast të shkeljes të së Drejtës së Autorit është i paraparë edhe dënimi me gjoba që lëviz nga 2 mijë deri në 25 mijë.
Shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj thotë së ligji për të drejtën autoriale sipas tij është pak i zbatueshëm dhe se të drejtat e autorit supozohet se duhet të mbrohen, por që jemi larg një mjedisi të shëndoshë sa i përket kësaj çështje.
Përderisa në vendin tonë, sot për Ditën Botërore të Librit janë organizuar evente dhe diskutime mbi lexuesin dhe autorin, Ukaj flet edhe për gjendjen e letërsisë dhe trajtimin e saj.
“Vendi ynë ka kriza të shumëfishta, por parasëgjithash, ka një krizë të thellë politike dhe sa herë ka kriza të këtij lloji, në shoqërinë njerëzore, më së shumti goditet libri, arti dhe kultura, sepse, qeveritë e papërgjegjshme dhe me prirje autoritare, kanë një prirje të përhershme për t’i kufizuar njerëzit që të marrin informacione për jetën, shoqërinë, politikën, historinë, të vërtetat, përmes librit e artit. Pra, me pak fjalë, nuk mund të flitet për një trajtim pozitiv të librit, autorit e të drejtave të autorit në vendin tonë, mirëpo, përkundër këtij realiteti, në kushte mjaft të rënda, letërsia jonë bashkëkohore, ka shkrimtarë të shkëlqyeshëm dhe te ne shkruhet letërsi e mirë”, ka thënë Ukaj.
Megjithatë përtej autorit dhe librit, një paralele e rëndësishme është edhe ajo mes autorit-librit-lexuesit. Pikërisht para dy viteve, në prill të 2023-es organizata jo qeveritare “Etea” dhe Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ publikuan një raport hulumtues mbi lexueshmërinë në Kosovë. Sipas këtij hulumtimi përqindja është jo e kënaqshme, përkundrazi. Në këtë raport thuhet se 38.3 për qind e qytetarëve të Kosovës lexojnë vetëm 1-3 libra për vit. 16.6%thonë se nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa vetëm 7.6 lexojnë më shumë se 13 libra.
Për kulturën e leximit dhe Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës Autoriale, flet edhe poetja dhe njëherit Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Gaxha-Rogova.
“Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtës së Autorit, që shënohet më 23 prill, e gjen Kosovën në një gjendje komplekse e të përzier sa i përket kulturës së leximit dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit. Ka disa zhvillime pozitive, por edhe sfida të mëdha që ende kërkojnë zgjidhje. Ndër aspektet pozitive, mund të përmendim interesimin në rritje për letërsinë shqipe. Ka një brez të ri autorësh që po krijon vepra me potencial dhe të cilët po fitojnë vëmendje në rajon e më gjerë”, ka thënë Rogova.
Ani pse nuk ka të dhëna publike për rastet që janë paraqitur ose po shqyrtohen lidhur me të drejtat e autorësisë, në vendin tonë. Në publikimet e vitit 2018 lëndë të pazgjidhura ishte vetëm 1, lëndë në punë 0 dhe po ashtu lëndë të pranuara 1.
Shkrimtari Ukaj thotë së ne vendin tonë mungon kujdesi për shkrimtarin dhe se ka njëlloj gjendje sociale të librit
“Duhet ta themi qartë: statusi e njerëzve të letërsisë është më i parregulluari dhe shkrimtarët janë kategoria më e goditur dhe më e përçmuar. Nëse e shohim në tërësi veprimtarinë artistike e kulturore në vendin tonë, shohim se vetëm prej fushës së letërsisë nuk mund të gjesh një autor që jeton prej punës krijuese, ndonëse, përfitimet më të mëdha historike, kombi shqiptar i ka prej njerëzve të letërsisë. Ky fakt e tregon gjendjen e rëndë të shkrimtarit dhe raportin negativ të shtetit tonë me këtë kategori. Unë nuk besoj se këto praktikat e subvencionimit të librit e të botuesve e kanë përmirësuar jetën letrare dhe gjendjen e autorëve. Letërsinë e bëjnë shkrimtarët dhe shkrimtarët duhet të jenë në fokusin e institucioneve dhe jo veprimtaritë që merren me punën krijuese të shkrimtarëve. E, në këto raporte, pozicioni i shkrimtarëve është shumë i palakmueshëm”, përfundon Ukaj.
Në anën tjetër, Gaxha-Rogova potencon se pavarësisht faktit së është rritur pjesëmarrja në ngjarje letrare përfshirë festivalet ndërkombëtare, sfidë e vazhdueshme mbetet mungesa e mbrojtjes efektive të së drejtës së autorit.
“Mungesa e politikave të qëndrueshme për promovimin e librit ndikon që situata të jetë kësisoj. Ndihma shtetërore për përkthime në gjuhë të huaja të veprave shqipe, mungesa e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e bën situatën e librit në Kosovë të paqëndrueshme. Në Kosovë nuk ka vetëdijësim në nivel të duhur për rëndësinë e librit dhe ne si shoqëri kemi çaluar në krijimin e një qëndrueshmërie të qartë në mbështetjen dhe promovimin e librit. Në thelb, kjo ditë në Kosovë mund të jetë një rast reflektimi për gjendjen aktuale të kulturës letrare dhe një thirrje e qartë për angazhim më të thellë institucional, kulturor e qytetar për të mbështetur librin dhe autorin”, përfundon Gaxha-Rogova.
Përderisa për të shënuar Ditën e Librit, u mbajt aktivitet në Fakultetin Filologjik, në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’ dhe në Librarinë ‘Dukagjini’.
/Gazeta Express
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...