Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se refuzimi për të votuar sot për nxjerrjen në shqyrtim publik të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) do të përbënte mohimin e të drejtës së qytetarëve për të qenë pjesë e procesit vendimmarrës mbi zhvillimin e kryeqytetit.
“Sot votohet për transparencë të plotë”, u shpreh Rama në një reagim publik.
Ai theksoi se pas një viti e gjysmë bllokimesh, PZHK-ja vazhdon të pengohet “nga ata që nuk po duan që qytetarët të kenë qasje, informacion dhe të drejtë fjale për të ardhmen e qytetit”.
Sipas Ramës, votimi i sotëm në Kuvendin Komunal nuk ka të bëjë me miratimin përfundimtar të planit, por me mundësinë që ky dokument të bëhet publik dhe të hapet për komente, propozime dhe vërejtje nga qytetarët.
“Nëse nuk votohet sot, qytetarëve u mohohet e drejta të jenë pjesë e një procesi që vendos për lagjet, infrastrukturën, gjelbërimin dhe zhvillimin urban të Prishtinës”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai i bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të Kuvendit Komunal që të dëshmojnë përkushtim ndaj një qeverisjeje të hapur dhe të ndershme, duke vlerësuar se ky është momenti për të parë qartazi “kush po voton për jo-transparencë e kush po bllokon”.
Opozita kryesore në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit Komunal, ku do të shqyrtohet PZHK-ja. Sipas një reagimi të kësaj partie, plani i propozuar është i paligjshëm.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...