string(107) "sekretari-amerikan-i-shtetit-rubio-irani-te-heqe-dore-nga-pasurimi-berthamor-nese-do-marreveshje-me-shba-ne"

Sekretari amerikan i shtetit Rubio: Irani të heqë dorë nga pasurimi bërthamor nëse do marrëveshje me SHBA-në

Lajme

Gazeta Express

24/04/2025 13:26

Irani do të duhet të ndalojë pasurimin e uraniumit sipas çdo marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara dhe mund të importojë vetëm atë që nevojitet për një program bërthamor civil, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio përpara bisedimeve midis Teheranit dhe Uashingtonit të shtunën e ardhëshme.

“Ekziston një rrugë drejt një programi bërthamor civil dhe paqësor nëse ata e duan një të tillë”, tha Rubio në podkastin “Honestly with Bari Weiss”. “Por nëse ata këmbëngulin në pasurimin, atëherë ata do të jenë i vetmi vend në botë që nuk ka një ‘program armësh’,.. por po pasuron. Dhe kështu mendoj se kjo është problematike”, tha ai.

Lexo Edhe:

“Nëse Irani dëshiron një program bërthamor civil, ata mund ta kenë një të tillë ashtu siç kanë shumë vende të tjera në botë, dhe kjo do të thotë se ata importojnë material të pasuruar”, tha ai.

SHBA-të po kërkojnë ta parandalojnë Iranin nga zhvillimi i një bombe bërthamore dhe Presidenti Donald Trump ka imponuar një fushatë sanksionesh “presioni maksimal” dhe ka kërcënuar të përdorë forcën ushtarake nëse Irani nuk e ndërpret programin e tij bërthamor.

Megjithatë, Irani tashmë e ka bërë të qartë se e drejta e tij për të pasuruar uranium nuk është e negociueshme. Kur u pyet për komentet e Rubios, një zyrtar i lartë iranian, pranë ekipit negociator të Iranit, tha përsëri të mërkurën se “zero pasurim është i papranueshëm”.

Irani ka mohuar se dëshiron të zhvillojë një armë bërthamore dhe thotë se programi i tij bërthamor është paqësor. Zyrtarët amerikanë dhe iranianë do të takohen në Oman të shtunën për një raund të tretë bisedimesh mbi programin bërthamor të kontestuar të Teheranit.

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së – Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike – ka thënë se Irani po përshpejton “dramatikisht” pasurimin e uraniumit deri në 60% pastërti, afër nivelit prej afërsisht 90% të gradës së armëve.

Vendet perëndimore thonë se nuk ka nevojë të pasurohet uraniumi në një nivel kaq të lartë për përdorime civile dhe se asnjë vend tjetër nuk e ka bërë këtë pa prodhuar bomba bërthamore.