Pasi për disa herë rresht nuk foli asnjë fjalë duke hyrë dhe duke dalë nga Kuvendi që s’po konstituohet ende, Albin Kurti sot është ndalur para gazetarëve, të cilët bënë një lloj proteste ndaj tij të mërkurën. Megjithatë, ai zgjodhi të fliste diçka tjetër, pa iu përgjigjur konkretisht pyetjeve të gazetarëve për konstituimin e Kuvendit.
Konstituimi i Kuvendit s’po bëhet dhe as ndonjë përpjekje serioze nga Lëvizja Vetëvendosje për t’i bërë numrat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Albin Kurti, i cili ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe është betuar si deputet në pritje për t’u bërë sërish kryeministër fuqiplotë, nuk iu përgjigj interesimit të gazetarëve sot në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit që po vazhdon pasuksesshëm që prej 15 prillit.
Kur u pyet nëse do të propozojnë kandidat/e tjetër për kryeparlamentar/e nesër, Kurti u shpreh kështu në Rugovë të Hasit, ku shkoi për përurimin e një ure mbi lumin Drin: “Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës punojnë tokën e shiu është për bereqet”, tha ai. Përgjigjes i buzëqeshi Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, i cili si duket u nda i kënaqur nga “gjetja” e Kurtit.
Paraprakisht, ai foli për përmasat e urës, duke dhënë detaje si ajo që është e gjerë 10 metra, “prej tyre 6 metra e gjysmë është për automjete, e 3 metra e gjysmë kah 1 metër e 75 në të dyja anët është për këmbësorë”, e se “në njëfarë mënyre, përafërsisht 2/3 janë për automjete, 1/3 është për këmbësorë”.
Kurti nuk është ndalur të flasë për gazetarët tash e disa ditë, pavarësisht se ata ia kanë drejtuar mikrofonët shumë shpesh këto ditë, sidomos kur ai po hynte e po dilte nga Kuvendi në ditët kur vazhdonte seanca konstituive.
Pas disa injorimeve radhazi që morën, gazetarët të mërkurën në shenjë proteste i lëshuan në tokë mikrofonët e kamerat, kur ai po dilte nga ndërtesa e Kuvendit.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me këtë rast, u bëri thirrje të gjithë politikanëve, dhe me ç’rast edhe Kurtit, që “të jetë transparent me mediat dhe publikun, për një temë kaq të rëndësishme siç është konstituimi i legjislaturës së re”.
Lëvizja Vetëvendosje të hënën përmendi nevojën për një “marrëveshje politike” për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por për 48 orët e ardhshme nuk bëri asnjë përpjekje që kjo të arrihej.
Në një takim “konsultativ” para vazhdimit të seancës konstituive të mërkurën, por edhe në sallën kryesore më pas këmbëngulën në propozimin e Albulena Haxhiut.
“Lëvizja Vetëvendosje propozon atë që gjithmonë ishte propozimi ynë, zonjën Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha në seancë nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca.
Kandidatja e LVV-së për herë të tretë dështoi të zgjidhet kryetare e Kuvendit, duke mos marrë më shumë se 57 vota.
PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme për ta shqyrtuar një kandidaturë “më të pranueshme” nga LVV-ja.
LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se për ta, “nuk ka asnjë kandidat”, të LVV-së që do të mund ta votonin. Kjo, siç tha të mërkurën nënkryetarja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, “për shkak të historisë së tyre, për shkak që janë shkelës të vazhdueshëm të Kushtetutës”.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...