Pakistani të enjten ua anuloi vizat të gjithë shtetasve indianë, e mbylli hapësirën e vet ajrore për të gjitha kompanitë ajrore në pronësi indiane ose të operuara nga India si dhe e pezulloi tërë tregtinë me vendin fqinj, përfshirë edhe atë që kryhet përmes vendeve të treta.
Masat hakmarrëse vijnë pas vendimit të Indisë për t’ua pezulluar vizat shtetasve pakistanezë pas një sulmi vdekjeprurës nga persona të armatosur në Kashmir, ku u vranë 26 njerëz, kryesisht turistë, raporton agjencia e lajmeve Associated Press
Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit ishin të larta të enjten, përderisa New Delhi po zhvillon një ofensivë diplomatike kundër Islamabadit, duke e fajësuar për sulmin në Kashmir. Ky rast bie ndesh me pretendimin e Indisë për qetësi në një rajon të kontestuar, ku kryengritja e përgjakshme kundër pushtetit indian ka qenë duke vazhduar me dekada.
Sulmi ndaj civilëve e tmerroi Indinë dhe nxiti thirrje për veprim kundër fqinjit rival. Qeveria indiane nuk paraqiti publikisht ndonjë dëshmi që e lidh këtë sulm me Pakistanin, por tha se rasti ka lidhje “matanë kufirit” me Pakistanin. Pakistani ka mohuar se ka ndonjë lidhje me sulmin.
Përgjegjësinë për këtë sulm e mori një grup që deri më tani ishte i panjohur. Grupi e quan veten Rezistenca e Kashmirit.
Në një deklaratë të lëshuar të enjten, Ministria e Jashtme e Indisë tha se të gjitha vizat që u janë lëshuar shtetasve pakistanezë do të shfuqizohen me efekt nga dita e diel. Kjo ministri gjithashtu i këshilloi shtetasit indianë që të mos udhëtojnë në Pakistan.
India dhe Pakistani administrojnë nga një pjesë të Kashmirit, por të dyja vendet pretendojnë se i tërë rajoni është i tyre. India e përshkruan tërë militantizmin në Kashmir si terrorizëm të mbështetur nga Pakistani, i cili mohon një gjë të tillë.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...