string(100) "prokuroria-speciale-ngre-aktakuze-ndaj-mesuesit-qe-dyshohet-se-perdhosi-flamurin-kombetar-dhe-plisin"

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj mësuesit që dyshohet se përdhosi flamurin kombëtar dhe plisin

Lajme

Gazeta Express

24/04/2025 15:20

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj mësuesit Muhamed Hajredinaj të shkollës “Xhemajl Mustafa” për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

Në nëntor të vitit të kaluar ishte raportuar se një 11-vjeçare nuk ishte lejuar të hyjë në klasë në shkollën “Xhemajl Mustafa” për shkak të veshjes së saj me motive kombëtare për festën e 28 nëntorit që nga mësuesi janë konsideruar si të papërshtatshme.

Lexo Edhe:

Prokuroria tha se ka provat që ai ka përdhosur flamurin kombëtar dhe plisin.

“Nga provat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, dhe pas analizimit të tyre, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë së i pandehuri M.H., në cilësinë e personit zyrtar (mësimdhënës), me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mo sdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë, i njëjti me rastin e festimit të ditës së flamurit kombëtar, publikisht ka ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të përdhosjes së simboleve kombëtare shqiptare, më konkretisht flamurit kombëtar dhe plisit, çka me këto veprime ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni  141 par. 4  lidhur me par. 3 të KPRK-së.

Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që në pajtim me nenin 62 të KPRK-së, ndaj të pandehurit M.H, t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”./Express/