Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu i ka bërë përgjegjës deputetët e partive të tjera që nuk po votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, është pyetur për mungesën e numrave, teksa është përgjigjur se Vetëvendosja vetëm “figurativisht” nuk i ka numrat.
Ai është përgjigjur kështu, duke u arsyetuar se edhe partitë e tjera e kanë obligim ta votojnë kandidaten për kryetare të Kuvendit.
“Figurativisht kemi të bëjmë me mungesë të numrave, por jo vetëm të numrave të Vetëvendosjes, sepse në atë kryesi të Kuvendit bëjnë pjesë edhe partitë e tjera. Kësisoj, duhet edhe pjesëmarrja e të tjerëve”, ka thënë Sallahu.
“Këta janë numra të përbashkët. Ka të bëjë me pjesëmarrjen e të gjithëve për konstituimin e Kuvendit. Sepse të gjithë janë hisedar brenda atij Kuvendi”, ka thënë ai.