Studentët e Nishit e quajnë Patriarkun Porfirije “të padenjë” pas takimit me Putinin dhe deklaratave për “revolucion të ngjyrosur”. “Ne s’jemi grushtshtetas – jemi fëmijët e këtij vendi”, thonë ata.
Studentët e Universitetit të Nishit, të cilët ndodhen në bllokadë si pjesë e protestave të vazhdueshme për drejtësi dhe dinjitet, kanë reaguar ashpër ndaj takimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Patriarkut Porfirije, me presidentin rus Vladimir Putin, si dhe deklaratave që ai ka dhënë me atë rast, duke përmendur “revolucionet me ngjyra” si kërcënim për Serbinë.
Në deklaratën e tyre, studentët shprehin “zhgënjim të thellë, trishtim dhe zemërim”, duke theksuar se një figurë si Patriarku nuk duhet të qëndrojë përkrah atyre që, sipas tyre, “luftën e të rinjve për dinjitet, drejtësi dhe liri e quajnë grusht shteti”.
“Patriark, ne nuk jemi armiqtë e vendit tonë. Ne jemi fëmijët e tij. Kur na quani ‘revolucionarë të importuar’, kur na heshtni dhe kur nuk flisni për kërkesat tona, ju nuk po tradhtoni vetëm ne. Ju po e tradhtoni të vërtetën. Po e tradhtoni Ungjillin. Po e tradhtoni moralin që duhet ta mbroni,” thuhet ndër të tjera në reagim.
Studentët akuzojnë Patriarkun se “ka zgjedhur të ulet me një autokrat që ka futur vendin e vet në luftë”, ndërsa në vend të qëndrojë pranë rinisë dhe popullit të vet, ai – sipas tyre – përqafoi propagandën e frikës dhe përçarjes.
Ata kritikojnë ashpër edhe lidhjet e thella mes Kishës dhe pushtetit në Serbi, duke thënë se “kur Kisha mbron regjimin në vend të popullit, ajo humbet autoritetin e saj dhe bëhet një instrument i forcës, jo i besimit”.
“Regjimi ka degraduar gjithçka që ka kuptim – arsimin, punën, drejtësinë… dhe tani, për të ruajtur pushtetin, ka degraduar edhe Kishën,” theksojnë studentët.
Sipas tyre, heshtja e Kishës përballë padrejtësive dhe varfërisë është shenjë e largimit nga vlerat e vërteta të krishterimit. “Ne nuk po sulmojmë besimin ortodoks. Ne po mbrojmë vlerat e tij thelbësore: të vërtetën, drejtësinë, dashurinë dhe solidaritetin.”
Në fund të deklaratës, ata i drejtohen drejtpërdrejt Patriarkut me pyetje të forta: “Ku ishit kur fëmijët janë të uritur, kur gratë vuajnë dhunë, kur të rinjtë po largohen nga vendi? Pse nuk jeni mes popullit?”
“Dhe mos harroni – Kisha nuk bie kur e sulmojnë, por kur udhëhiqet nga të padenjtit.”
“Ne kemi zgjedhur anën tonë – ne jemi me të vërtetën,” përfundojnë studentët. /Nova