Edhe pse Prokuroria Speciale e Kosovës është duke e hetuar për korrupsion në dy raste të ndryshme kryeshefin e KRU Gjakova, Hasan Krasniqin, Bordi i Drejtorëve i kësaj ndërmarrje publike lokale, ka marrë vendim që ta rikthejë në punë kryeshefin Krasniqi.
Ai me datë 27.03.2025 ishte larguar përkohësisht nga puna me vendim po ashtu të Bordit të Drejtorëve, pasi që me 18.03.2025 ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Anëtarë të Bordit të Drejtorëve të KRU “Gjakova” janë: Urim Gashi (kryesues) dhe Arianeta Nura, Vildane Maloku, Fortuna Haxhikadrija, Armend Behluli dhe Faton Osmani (anëtarë).
KALLXO.com ka kontaktuar të gjithë anëtarët e Bordit të Drejtorëvë për t’i pyetur për këtë vendim, por asnjëri nga ta nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.
Në vendimin e datës 24.04.2025, thuhet se Bordi i Drejtorëve ka shqyrtuar njoftimin e avokatit të Krasniqit, se të njëjtit me 17.04.2025 i është përfunduar me skadim masa e paraburgimit dhe ndaj tij kanë pushuar arsyet për largim të përkohshëm nga puna dhe në këtë kuptim, sipas Bordit, nuk ka pengesa ligjore për ushtrimin e detyrave si dhe përgjegjësive si kryeshef ekzekutiv.
Krasniqi ishte arrestuar në Gjakovë me urdhër të Prokurorisë Speciale në lidhje me tenderin për blerjen e një barke nga ana e KRU “Gjakova”. Ai po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pas arrestimit, bordi i KRU “Gjakova” e kishte larguar përkohësisht nga pozita e kryeshefit.
Hetimi ndaj tij, që rezultoi me arrestim, ka filluar pas publikimit të hulumtimit në KALLXO.com në tetor të vitit 2024.
Hulumtimi tregonte se si Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” kishte blerë një barkë/anije të vogël në vlerë 24,500 euro, por e njëjta nuk arriti të shfrytëzohej, pasi që u sekuestrua nga ana e Doganës dhe Policisë së Kosovës. Kjo barkë u ble nga KRU “Gjakova” prej një kompanie e cila ishte regjistruar rreth një muaj para se ta fitonte tenderin.
Hulumtimi zbardhi se si barka/varka u ble nga KRU “Gjakova” nga një Kompani e cila ishte regjistruar rreth një muaj para se të fitonte tenderin.
Pronari i Kompanisë që kishte fituar tenderin për barkën/varkën kishte pohuar faktin se e kishte mik kryeshefin e KRU “Gjakova” Hasan Krasniqin, ndërsa ky i fundit e mohonte në atë kohë afërsinë me tenderuesin.
“Jo, jo nuk jemi familjarë, por veç shokë jemi. Jo, jo nuk ka ndiku kurrgjo ajo punë. Unë e kam parë që është, kam apliku, i ka pëlqy oferta ime. Tri Kompani kemi qenë dhe unë e kam fitu tenderin.” – kishte thënë Arlind Hasimja, pronari i Kompanisë Lind-Fix, që kishte fituar tenderin për barkën.
“As nuk e kam mik, as nuk e kam farë, as në fis. Mik e ka pronari i barkës dhe aplikuesi. Ata janë miq mes vete, këtu është bërë një shantazh i juve gazetarëve, apo në hetime. Ata dy janë miq mes vete, jo me Kryeshefin.” – ishte përgjigjur Hasan Krasniqi për KALLXO.com, në lidhje me këtë çështje.
Dosja hetimore që ka arritur ta sigurojë KALLXO.com konfirmon se blerja e barkës ka qenë e kurdisur, pasi që u është dhënë tenderi personave që Krasniqi ka lidhje familjare dhe miqësie.
Kjo pasi që sipas Dosjes gjithmonë, Policia kishte arritur që të gjente prova se vëllai i kryeshefit të KRU “Gjakova” ishte i martuar me motrën e Arlind Hasimja.