Besnik Mucaj, i cili është menaxher i programeve në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale, ka thënë se buxhetet komunale janë dëmtuar dy herë për shkak të procedurave përmbarimore për shkak të kontratës kolektive.
Sipas tij, marrja e mjeteve nga përmbaruesit, përveç që ka lënë më pak mjete për investime kapitale, ka bërë që shumë punëkryes të projekteve komunale për shkak të vonesave të ndjekin rrugën e njëjtë të marrjes së mjeteve përmes procedurave përmbarimore.
Por këto nuk janë problemet e vetme të komunave, sipas Mucajt.
“Sipas analizave të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, shumë komuna kanë probleme për realizimin e projekteve të tyre edhe për shkak të procedurave të stërzgjatura nga agjencione të ndryshme të pavarura, dhe kjo u komplikon shumë punën e tyre. Vonesat që shkakton KEDS-i apo kompanitë e ngjashme bëjnë që komunat të vonohen në realizimin e pagesave, dhe kjo pastaj shkakton probleme me kontraktorë. Niveli qendror dhe ai lokal duhet të kenë më shumë komunikim që këto probleme të evitohen”, ka shtuar Mucaj.
Problem tjetër sipas Mucajt te komunat është edhe fakti se ato nuk po guxojnë të hyjnë në projekte të mëdha afatgjata, për shkak se nuk po marrin garancionet e nevojshme nga niveli qendror, derisa ka pasur raste kur edhe pas nënshkrimit, niveli qendror është tërhequr nga bashkëfinancimi dhe komunat janë përballur me probleme ligjore me kompani private.
“Shpesh, niveli qendror edhe pse ka hyrë dhe nënshkruar memorandum me komuna për projekte kapitale është tërhequr nga zotimi, derisa komunat kanë shpallur procedurat dhe mjetet u janë marrë nga përmbaruesit. Komunat këtë e kanë bërë duke menduar se i kanë mjetet për shkak të nënshkrimit të memorandumit, por në fakt ka pasur raste kur mjetet nuk kanë qenë aty, edhe pse ishin zotuar nga niveli qendror me nënshkrim të memorandumit”, ka shtuar Mucaj.
Problem tjetër mes komunave dhe qeverisë mbetet edhe komunikimi, pasi ka pasur raste kur katër ministri të ndryshme kanë investuar në projekte rrugore komunale, derisa dihet se cila ministri ka këtë përgjegjësi.