Skuadra ambicioze e Serie A, Como, është ndër klubet italiane që raportohet se janë të interesuara për një marrëveshje me yllin e Manchester Cityt dhe së shpejti lojtar të lirë, Kevin De Bruyne, sipas raportimeve nga Italia.
De Bruyne, i cili ka fituar gjashtë tituj të Premierligës, ka njoftuar se do të largohet nga Manchester City në fund të sezonit 2024-25. Ka pasur tashmë lidhje të forta me një transferim në MLS, në Arabinë Saudite, si dhe te disa klube evropiane, përfshirë edhe disa në Premierligë dhe Serie A.
Menjëherë pas njoftimit të De Bruyne-it për të ardhmen e tij te City, u përfol për një transferim te Interi, klub që ka përfituar nga nënshkrimi me lojtarë të lirë vitet e fundit: si Marcus Thuram, Piotr Zielinski, Henrikh Mkhitaryan dhe Andre Onana.
Megjithatë, një transferim te Interi duket i pamundur për shkak të qëndrimit të pronarëve aktualë të klubit, të cilët nuk janë të gatshëm të bëjnë investime të mëdha për lojtarë në moshë të avancuar. Pronarët e rinj të Interit kanë marrë drejtimin që nga fundi i sezonit 2023-24, çka ka sjellë edhe një ndryshim në politikën e transferimeve.
Sipas Calciomercato, edhe Como është në mesin e klubeve të Serie A që janë të interesuara për De Bruyne-in.
Edhe pse ky është sezoni i tyre i parë në elitë pas ngjitjes nga Serie B, Como ka treguar ambicie të mëdha me disa emërime të profilit të lartë, përfshirë Cesc Fabregas-in si trajner, dhe afrimet e lojtarëve si Nico Paz, Assane Diao, Sergi Roberto, Maxence Caqueret dhe Alex Valle.
Gjatë afatit kalimtar të janarit, Como gjithashtu ishte lidhur me një transferim të bujshëm për mbrojtësin e majtë të Milanit, Theo Hernandez.
Grupi pronar i Comos është gjithashtu më i pasuri në Serie A, me një pasuri të vlerësuar në mbi 40 miliardë euro.