Të dielën nga ora 10:00 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të mblidhen për herë të shtatë në tentim për ta konstituar Kuvendin.
Edhe pse ky proces fillimisht kishte ngecur në çështjen e raportit të komisionit të përkohshëm të mandateve, tani i njëjti është bllokuar në zgjedhjen e të parit të parlamentit. Kjo pasi që e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka dështuar disa herë të marrë votat e nevojshme, shkruan Gazeta Express.
Në anën tjetër, partitë e tjera si Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklarativisht janë treguar me fleksibile në këtë çështje, duke shfaqur gatishmëri që të votojnë ndokënd tjetër në vend të Haxhiut.
Megjithatë, VV-ja e Albin Kurtit, edhe pse tashmë është bërë mese e qartë që e vetme nuk e ka numrin prej 61 votave, nuk është shfaqur e hapur që të propozojë një kandidat apo kandidate tjetër për këtë pozitë.
Madje nga deputetë të kësaj partie, kanë deklaruar se kandidatura e Haxhiut nuk do të ndryshojë, dhe se të njëjtit, kanë bërë thirrje ndaj partive të tjera që ta votojnë atë, pa ofruar kompromise ashtu siç është propozuar nga PDK e AAK.
Pos PDK e AAK-së, kundër Haxhiut ka votuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që po ashtu janë shprehur kundër asaj që të jetë kryetare e Kuvendit.
Këto parti, kanë kërkuar kandidate tjetër duke thënë se i pari, ose e para e kuvendit, duhet të jetë figurë unifikuese, e jo ‘’përçarëse’’ siç ato vlerësojnë se është Haxhiu.
Kandidatja e VV-së, s’ka gjetur përkrahje as nga një parti tjetër, më saktë nga NISMA e Fatmir Limajt, parti e cila u shfaq me e afërt me VV-në.
Në fakt, lideri i kësaj partie në seancën e fundit ka thënë se është koha që VV-ja të ‘‘lëshojë rrugë’’.
Pavarësisht këtyre, as nga VV-ja e as nga këto parti, gjatë këtyre orëve nuk kemi parë ndryshim qëndrimesh.
Në seancën e djeshme, Haxhiu morri 57 vota për, kundër 47 vota, ndërsa kanë abstenuar tre deputetë.
Ndërkaq, seanca konstituive do të vazhdojë nesër nga ora 10:00./GazetaExpress