string(95) "baraliu-per-ngercin-ne-kuvend-nderhyrje-nderkombetare-ose-presidentja-ti-drejtohet-kushtetueses"

Baraliu për ngërçin në Kuvend: Ndërhyrje ndërkombëtare ose presidentja t’i drejtohet Kushtetueses

Lajme

Gazeta Express

27/04/2025 8:27

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, duke u ndalur në mundësitë për kapërcimin e bllokadës së krijuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka thënë që situata të mos zgjasë pafundësisht duhet të ketë ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar, ose që presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për përgjigje.

“Nuk mund të ketë zgjidhje në këtë situatë. Kjo mund të vazhdojë pafundësisht, derisa të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për një përgjigje, ose të ketë ndërhyrje nga jashtë – nga ndonjë mik apo disa shtete që mund t’i bindin. Sepse zakonisht, nën presionin e të huajve, i dëgjojnë ata, por nuk e dëgjojnë njëri-tjetrin”, ka thënë Baraliu për “Ekonomia Online”.

Lexo Edhe:

Megjithëkëtë, ai e sheh si mundësi rrugëzgjidhjeje që presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuse për përgjigje.

“Nuk ka limit për këtë situatë, sepse është një vakum kushtetues dhe ligjor. Çështja e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit duhet të zgjidhet. Duhet të zgjidhen edhe kryetari dhe nënkryetarët. Presidentja mund ta adresojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për të marrë një përgjigje se çfarë duhet bërë dhe nëse duhet të vendoset një afat kohor, sepse nuk mund të vazhdojë kjo situatë në pakufi”, ka thënë ai.

Baraliu ka kritikuar partitë duke thënë e zvarritjet janë në pasoja jo vetëm në funksionimin institucional, por edhe në realizim të projekteve.

“Qytetarët po ndalen dhe po thonë: çfarë kanë këta njerëz që kanë fituar me votat tona dhe nuk kanë keqardhje dhe respekt ndaj nesh që u kemi dhënë votën. Dhe kjo vlen për të gjithë deputetët pa dallim. Po ndikon dhe do të ndikojë çdo vonesë, jo vetëm në zhgënjimin e qytetarëve, por edhe në pasojat për shtetin. Sepse, ka shumë marrëveshje, investime dhe donacione nga jashtë që presin të implementohen pasi të formohet qeveria e re”, ka thënë ai. “Një papjekuri totale dhe papërgjegjësi. Kjo është një sjellje e pahijshme, e pandershme, deri në paturpësi”.

Kuvendi të dielën mban seancën e shtatë në përpjekje për konstituim. Deputetët e zgjedhur nuk po arrijnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ngërçi është shkaktuar te propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar. Partia fituese ka propozuar Albulena Haxhiu, por në katër votime deri tash ajo ka marrë nga 57 vota. Partitë e opozitës së katër vjetëve të shkuara kanë kërkuar ndryshim të kandidatit, ndërsa Lidhja Demokratike ka thënë se nuk e voton askënd.