Detaje të reja janë mësuar lidhur me vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, i cili u ekzekutua mëngjesin e 27 prillit pranë banesës së tij në Vlorë. Sipas burimeve, partnerja e tij ka deklaruar përpara grupit hetimor se nuk ishte në dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm që viktima mund të ketë pasur. Ajo ka dëshmuar se fillimisht ka menduar se të shtënat ishin fishekzjarrë, por më pas ka konstatuar që Hoxhaj ishte qëlluar me armë zjarri.
Në lidhje me ngjarjen, deri tani janë shoqëruar pesë persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë dhënë të dhëna konkrete që ndihmojnë hetimet. Në vendngjarje janë sekuestruar 4 gëzhoja pistolete kalibri 9 mm. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup.
Pamjet e një kamere sigurie kanë fiksuar momentet e autorit, i cili ishte i maskuar me kapele dhe shall. Ai është parë teksa afrohej nga kodra pas banesës së viktimës dhe është larguar po nga e njëjta rrugë. Grupi hetimor po vijon kontrollin e kamerave të tjera të sigurisë në zonë për të mbledhur prova që mund të çojnë në identifikimin e autorit.