Llapi dhe Prishtina do të përballen sot në njërën prej dy ndeshjeve të fundit të xhiros së 31-të të Superligës së futbollit.
Ky sezon dhe kjo situatë momentale nuk i gjen dy ekipet e njohura kosovare në një pozitë të lakmueshme.
Llapjanët momentalisht gjenden në pozitën e tetë, e cila është e rezervuar për barazh, kurse prishtinasit vetëm një pozitë më lartë, ndonëse me pikë të njëjta.
Prandaj, kjo ndeshje ka peshë të madhe për të dy ekipet, shkruan “Gazeta Express”.
Një fitore eventuale e cilitdo ekip do të ishte një frymëmarrje më shumë, ndërsa barazimi s’do të ishte i kënaqshëm për asnjërën skuadër.
Këto dy ekipe njëkohësisht do të përballen mes vete edhe në finale të Kupës së Kosovës, përmes së cilës do të mundohen ta sigurojnë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.
Sot në fushën e blertë do të zbresë edhe liderja Drita, e cila do të ketë punë me fqinjët e Ferizajt.
Një fitore eventuale do t’i afronte edhe më shumë me titullin e kampionit gjilanasit.
Kurse, ferizajasit me tri pikë në këtë takim do ta siguronin edhe matematikisht mbetjen në ligë.
Të dy ndeshjet e sotme do të nisin prej orës 15:00. /Gazeta Express