Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me mbështetës të Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Kuçovë, u zotua se në ditën e parë të qeverisjes do të ndërpritet menjëherë nisma “Ballkani i Hapur” dhe do të hiqet taksa që ai e cilësoi si armiqësore ndaj fermerëve shqiptarë.
“Ju duhet ta dini se, pasi firmosi si argat i Vuçiçit ‘Ballkanin e Hapur’, 80% e prodhimeve bujqësore në tregjet shqiptare vijnë nga Shumadia dhe Banata, pasi hyjnë pa doganë. Në Shqipëri nisi një therje masive e bagëtive”, deklaroi Berisha.Ai theksoi se subvencionet që marrin fermerët shqiptarë janë shumë më të ulëta krahasuar me vendet fqinje.“Subvencioni që ju merrni është sa 1/5 e asaj që merr fermeri në Maqedoninë e Veriut, është 1 e 7, ose e 8 e asaj që merr fermeri në Serbi. Është 1 e 4 apo e 5 e asaj që merr fermeri në Kosovë. Merr fund,” u shpreh Berisha.Kreu i opozitës kritikoi qeverinë për fondet e ulëta që i ka dhënë bujqësisë.“8 miliardë euro buxhet, për 380 mijë fermerë që japin 20 për qind të prodhimit të brendshëm dhe punësojnë 500 mijë shqiptarë. Sa dha? Vetëm 57 milionë euro, nga të cilat fermerët përfituan 32 milionë në formë subvencionesh. Fjala ime e nderit, kjo shumë do të 5-fishohet”, premtoi ai.Berisha u zotua se çdo njësi prodhimi do të financohet në përputhje me standardet e rajonit.“Për çdo serrë, arë apo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti të mbajtur, do të financoheni njëlloj si fermerët e vendeve përreth. Prodhojmë me krenari, ‘Made in Albania’ do të jetë emblema jonë”, tha ai.Në vijim të fjalës së tij, Berisha premtoi rritje të investimeve në infrastrukturën bujqësore.“Do të investohen çdo vit 70 milionë euro në kullim, vaditje dhe mbrojtje të tokës. Hidrocentrali i Banjës, që është ndërtuar për vaditje, do të përdoret për të dyfishuar sipërfaqen e ujitur në Shqipëri”, u shpreh ai.Ai shtoi gjithashtu se taksa e TVSH-së do të riformulohet në mënyrë që të përfitojnë fermerët dhe jo vetëm grosistët, si dhe se do të ulen tarifat për biznesin e vogël.“Energjia për biznesin e vogël do të zbresë nga 18 lekë në 6 lekë. Bashkitë nuk do të mund të vendosin më shumë se 1% taksa e tarifa”, nënvizoi Berisha.Në fund të fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te situata politike në Kuçovë, duke shprehur mbështetje për demokratët vendas.“Ju garantoj se ligji do të veprojë me forcën më të madhe ndaj atyre që grabitën mandatin tuaj në maj, kur fituat me Lefter Maliqin,” përfundoi ai.