string(101) "rama-ish-uzina-e-autotraktoreve-pjese-e-industrise-ushtarake-prodhimi-i-uniformave-dhe-montim-mjetesh"

Rama: Ish-Uzina e Autotraktorëve pjesë e industrisë ushtarake, prodhimi i uniformave dhe montim mjetesh

Shqiperi

Gazeta Express

28/04/2025 13:24

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në prezantimin e projektit për rigjallërimin e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë, që shumë shpejt do të jetë në funksion të industrisë ushtarake për prodhimin e uniformave dhe montimin e mjeteve të blinduara, transportuesve të artilerisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Rama vlerësoi se bëhet fjalë për një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Forcat e Armatosura, ekonominë tonë kombëtare dhe komunitetin e zonës.

Lexo Edhe:

Kryeministri bëri të ditur se në kuadrin e rilindjes së industrisë ushtarake në Shqipëri, ka një sërë projektesh për rijetësimin e infrastrukturës të vjetër të mbetur jashtë funksionit.

“Bëhet fjalë për infrastruktura si kjo këtu, apo ajo e kompleksit industrial të Rubikut dhe të tjera në territorin e Shqipërisë, ku synimi ynë është që të ndërtojmë një projekt të plotë të prodhimit në vend për nevojat e Forcave tona të Armatosura, forcave të policisë, forcave tona zjarrfikëse, por edhe për eksport”, tha Rama.

Kjo, sipas Kryeministrit, do të bëjë që nga njëra anë rritja e përvitshme dhe domethënëse e buxhetit të mbrojtjes të shkojë për të stimuluar ekonominë tonë kombëtare, nga ana tjetër, përmes krijimit të këtyre hallkave të reja të një zinxhiri prodhues synohet të krijohen vende të reja pune të mirëpaguara për teknikë dhe ekspertë të nivelit të lartë dhe sigurisë.

“Patjetër edhe që përmes këtij procesi do të stimulojmë edhe teknologjinë e inovacionit. Kjo është pak a shumë panorama brenda së cilës hyn edhe kjo strukturë”, bëri të ditur Rama.