Zëdhënësja e fushatës zgjedhore në Partinë e Lirisë, Arla Merja në një deklaratë për shtyp sot, foli për shëndetësinë në Shqipëri, e cila, sipas saj, “është kthyer në një fjalë bosh, pa përmbajtje dhe pa shpresë për qytetarët”.
Merja shtoi se “shëndetësia është një shtyllë themelore e programit të Shqipërisë Madhështore, një shërbim dinjitoz, i sigurt dhe i barabartë për çdo qytetar”.
Merja tha se PL do të angazhohet që shpenzimi publik në shëndetësi të jetë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sa rekomandimi për vendet e Bashkimit Europian dhe OBSH-së.
Po ashtu ajo premtoi “rimbursimi i plotë (90-100%) i të gjitha mjekimeve në listën e barnave”.
Ndër të tjera Merja shtoi se do të rikthehet ligji për sigurimin e cilësisë së barnave.
“Çdo medikament që do të licensohet fillimisht në Shqipëri do të duhet të jetë i miratuar nga BE ose SHBA dhe të jetë në përdorim në të paktën dy vende të Bashkimit Europian”, tha Merja.
Sipas saj, do të krijohet “Instituti Kombëtar të Tumoreve, për të zgjidhur përfundimisht mbulimin me shërbim shëndetësor onkologjik në shkallë kombëtare”.
Merja shtoi se do të ketë mbulim të plotë kombëtar “të urgjencës mjekësore dhe të trajtimit akut të infarktit të zemrës dhe infarktit të trurit, që janë shkaku i parë i vdekjes në Shqipëri”.
“Krijimi i Kartelës Digjitale të Pacientit. Krijimi i sistemit të performancës për shërbimet shëndetësore. Rritja e pagave të personelit shëndetësor në të gjitha sistemet shëndetësore”, janë disa nga premtimet e PL.
Merja nënvizoi se do të bëhet një “riformatimi i nevojave spitalore bazuar në numrin e popullatës, si p.sh. nevoja e ndërtimit të një spitali të nivelit dytësor në Bashkinë Kamëz”.
Gjithashtu, sipas saj, synohet “rithemelimi dhe përforcimi i Shërbimit të Telemjekësisë Kombëtare si mjet për të mbuluar me shërbim shëndetësor territoret më të largëta. Rithemelimi i Agjencisë së Kontrollit të Barnave, që do të jetë përgjegjëse direkte për çdo problematikë të sektorit dhe do të minimizohet roli i institucioneve politike. Rikthimi i Autoriteti Kombëtar të Ushqimit nën udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë, duke theksuar kështu rolin e AKU-së si garant i sigurisë ushqimore në drejtim të shëndetit të popullatës”.