Kanë nisur punimet për modernizimin e njësisë B2, investim ky i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Me këtë rast, sipas një njoftimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kryeministri në dorëheqje Albin Kurti së bashku me Ministren e Ekonomisë në dorëheqje Artane Rizvanolli, kanë shkuar për vizitë tek termocentrali Kosova B ku janë pritur nga Ushtruesi i Detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramos Hashani.
“Për herë të parë ka filluar riparimi dhe modernizimi në Termocentralet ekzistuese të KEK-ut dhe po bëhet një rritje e kapacitetit për njësi, një prodhim vjetor shtesë prej mbi 600 GWh, si dhe një operim më i sigurt dhe më efikas i njësive të TC Kosova B. Realizimi i projekteve të rehabilitimit bazohet në studimin e fizibilitetit për TC “Kosova B”. Ky rehabilitim do të kontribuojë në përmbushjen e kërkesave mjedisore, duke reduktuar ndotjen e ajrit dhe duke siguruar përputhjen me standardet e Direktivave të Bashkimit Evropian (BE) për emisionet e pluhurit dhe gazrave” thuhet në njoftim.
“Unë ju përgëzoj shumë për këtë modernizim të turbinave në Termocentralin Kosova B, edhe të njësisë B1 edhe B2, të cilat janë të sekuencura në kohë, në mënyrë që ta kemi maksimumin e prodhimtarisë, po në të njëjtën kohë ta shtojmë edhe prodhimtarinë edhe sigurinë, edhe efikasitetin, e ta ulim ndotjen”, citohet të ketë thënë Kurti.
Sipas Rizvanollit, kur të përfundojnë të gjitha punimet për rehabilitimin e Termocentralit “Kosovës B”, “jetëgjatësia e tij do të shtohet edhe për 20 vjet, ndotja nga pluhuri dhe oksidet e azotit do të ulën për 60%, kurse remontet kapitale do të nevojiten që të bëhen një herë në 10 vjet, në vend se çdo pesë vjet”
“Kjo do të thotë se siguria e furnizimit do të përmirësohet dukshëm për 20 vjet e ardhshëm, importi do të ulët për së paku 23 milionë euro ndërkaq eksporti do të rritet për së paku 20 milionë në vit”, ka shtuar ajo.