Propozimi i Vetëvendosjes për Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit nuk po kalon, e lidhur me këtë ka folur deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda.
Ai thotë se Haxhiun si kryekuvendare nuk e voton, edhe nëse Bedri Hamza bëhet kryeministër.
“Nuk e lejojmë të ndërtohet një diktat, kur ne votojmë qysh thotë një lider politik, nuk votojmë nën diktat politik. Edhe me kusht nëse Bedri Hamza bëhet kryeministër në fund të këtij procesi, unë nuk votoj nën diktat, as PDK-ja”, u shpreh Gruda.
Sipas tij, VV nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit.
“Gjasat janë që të ndodh e njëjta, sepse siç e shihni, partia që është fituese relative e zgjedhjeve nuk do që ta konstituojë, dhe nuk do që të sillet në mënyrë kushtetuese dhe ligjore, por do që me një këmbëngulje të pakuptimtë ta bllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit, dhe ne nuk duam që të vendosemi në një pozicion ku na imponohet një mënyrë e votimit”, u shpreh Gruda në Klan Kosova.