Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se votat e partisë së tij do të jenë të njëjtat edhe sot sikurse në seancat e kaluara ku abstenoi për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare.
“Unë nuk kam parë ndonjë lëvizje për të pritur diçka më ndryshe se seancat e kaluara. Si duket do të jetë e njëjta gjë. Ky është realiteti i sotëm. Vota jonë është sikur herën e kaluar është një votë që është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet dhe kështu do të jetë”.
Ai tha se zgjidhja është që partia e parë duhet t’i bëjë përpjekjet e mundshme për të ndërtuar një shumicë, një koalicion që e zgjedh edhe kryeparlamentarin edhe qeverinë.
“Duhet ta kuptoni që formimi i institucioneve gjithmonë ka marrë kohën e vet. Me marrëveshje politike është e vetmja rrugë që përmes marrëveshjeve politike që do të zgjedhë edhe kryeparlamentarin edhe qeverinë”.
Ai tha se Nisma do të japë kontributin e vet dhe tha se çdo proces e ka përfundimin e vet.
“Por nëse s’ka zgjidhje dhe zgjidhje tjetër janë zgjedhjet, në çdo drejtim jemi këtu për të dhënë kontributin tonë”./Express/