Është ndarë nga jeta Agim Maka (07.05.1956 – 28.04.2025), një prej figurave më të spikatura të historisë politike dhe shoqërore të këtij qyteti.
Agim Maka ishte kryetari i parë i Degës së LDK-së në Junik, në një periudhë të vështirë për Kosovën, kur organizimi politik dhe qytetar kërkonte guxim, urtësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Përveç angazhimit politik, Agimi kishte një karrierë të gjatë profesionale dhe shërbeu me dinjitet në pozita të rëndësishme. Pas përfundimit të luftës, ai u emërua Kryeshef Ekzekutiv i Komunës së Deçanit, funksion të cilin e ushtroi deri në vitin 2004. Më pas, vazhdoi karrierën në sektorin bankar deri në pensionimin e tij në vitin 2021, duke dhënë gjithmonë shembullin e profesionalizmit dhe përkushtimit.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në sferën institucionale. Në vitet ’90, Agim Maka ishte një ndër kontribuuesit aktivë në procesin e pajtimit të gjaqeve, duke ndihmuar në forcimin e unitetit dhe paqes brenda komunitetit.
Agim Maka la pas një trashëgimi të çmuar morale dhe qytetare që do të mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, Komuna e Junikut organizoi një mbledhje komemorative më 29 prill 2025, ndërsa ceremonia e varrimit mbahet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Junik, lagjja Gacafer.