Policia e Durrësit ka arrestuar një 18-vjeçar, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë tentativën për grabitje me dhunë ndaj tre shtetaseve italiane.
18 vjeçari me iniciale D. A., banues në Durrës, u kap në flagrancë në lagjen “nr.13” gjatë orëve të para të mëngjesit, teksa tentonte të vidhte sendet personale të tre turisteve italiane, duke ushtruar dhunë fizike ndaj tyre.
Hetimet kanë zbardhur edhe dy raste të tjera të vjedhjeve me thyerje xhami të ndodhura më 27 dhe 28 prill 2025, në të njëjtën zonë të qytetit, ku i riu kishte grabitur sende personale nga brenda automjeteve.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni luftarak, si dhe disa sende të dyshuara si të vjedhura. Në lidhje me këtë çështje, është proceduar penalisht në gjendje të lirë E. D., 36 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.