Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka komentuar qëndrimin e Vetëvendosjes se Albulena Haxhiu nuk po votohet vetëm se është grua, teksa Dimal Basha i VV-së e cilësoi edhe seksizëm ngritjen e Haxhiut në postin e kryetares së Kuvendit.
Kica-Xhelili ka shkruar se me këtë gjuhë të VV-së, po prodhohet regresi i thellë se gratë po kthehen në objekte politike për përdorim retorik, jo subjekte me fuqinë për të udhëhequr në bazë të meritës.
“Në përpjekjen për të “mbrojtur” kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në vend që të theksojnë vlerat dhe kontributin e saj politik, kanë zgjedhur ta reduktojnë tërë historinë e saj në një fakt biologjik: ajo është grua”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
“Pra, sipas tyre, duhet votuar – jo për përgatitjen apo lidershipin – por sepse është grua. Në një analizë politike, do të sqaroja të gjitha rrethanat pse Albulena Haxhiu nuk i ka aftësitë e lidershipit apo përgaditjen e nevojshme, por për hir të mesazhit këtu, nuk po hyj në atë analizë”, ka shtuar ajo.
Sipas Kica-Xhelilit, me këtë gjuhë të VV, nën maskën e progresivitetit, po prodhohet një regres i thellë: gratë po kthehen në objekte politike për përdorim retorik, jo subjekte me fuqinë për të udhëhequr në bazë të meritës.
Deputetja e LDK-së thekson se në këtë mënyrë, pa vetëdije, këta deputetë po e minojnë vetë pozitën e gruas në politikë. Jo duke e luftuar patriarkatin, por duke e ricikluar atë – në formën më tinëzare: patronizimin e saj përmes mbrojtjes artificiale.
“Historia e grave në politikën kosovare – dhe më gjerë – është një histori e betejës, jo e favorizimit. Ka pasur dhe ka gra që janë ngjitur në majat e shtetit jo për shkak të gjinisë, por pavarësisht gjinisë së tyre. Sepse për to, gratë nuk ishin kuota, por individë me kapacitete, përgatitje dhe integritet”, ka shkruar ajo.
“Ato nuk kanë kërkuar mbështetje për shkak se janë gra, por sepse janë të zonjat. Sepse kanë ditur, siç thoshte Simone de Beauvoir, se: “Nuk lindim gra – bëhemi.””, ka thënë ajo.
“Në vend që të instrumentalizohet gjinia, duhet të theksohet puna, karakteri, qëndrueshmëria, vizioni dhe kontributi. Sepse po të ishte gjinia e mjaftueshme, historia nuk do të kishte pasur nevojë për figurat si Madeleine Albright, Angela Merkel, Golda Meir etj. Kur politika përdor vlera të mëdha për qëllime të vogla, shkatërron të dyja”, ka theksuar deputetja e LDK-së.
Kica-Xhelili vlerëson se në momentin që betejat e grave në politikë degradohen nga vlerat meritokratike në “merita gjinore”, kemi humbur terren. Jo vetëm si shoqëri që pretendon të jetë demokratike, por si njerëz që kërkojnë drejtësi.
“Një grua nuk ka nevojë të mbrohet për shkak se është grua. Ajo ka nevojë të mbështetet për shkak se është e aftë. E prandaj, në këtë rrafsh, një grua që mëton pushtet, duhet të jetë e aftë për të, e jo t’a qaj hallin e mos-pranimit të saj në faktin që është grua”, ka thënë ajo.
“Koha është që gratë të mos përdoren si flamuj simbolikë, por të trajtohen si forca reale politike. Sepse përndryshe, nuk është gjinia ajo që po përdoret – por vetë dinjiteti njerëzor”.