string(116) "zrre-u-perpoq-me-konfuzion-ta-zbuse-reagimin-qytetar-per-rrymen-por-e-verteta-doli-ne-mbremje-ska-shtrenjtim-ne-veri"

ZRRE u përpoq me konfuzion ta zbusë reagimin qytetar për rrymën, por e vërteta doli në mbrëmje: S’ka shtrenjtim në veri

Lajme

Gazeta Express

29/04/2025 14:55

Serbët në veri të Kosovës nuk do të preken nga shtrenjtimi i rrymës. ZRRE-ja e konfirmoi këtë të hënën në një përgjigje për Gazetën Express, por me një njoftim që e lëshoi më pas për tarifat e reja dhe “ndikimin te konsumatorët në veri”, sikur përpiqej ta zbuste reagimin e qytetarëve pas lajmit, duke krijuar edhe konfuzion. Në fund të ditës, kompania serbe, Elektrosever, e cila është përgjegjëse për furnizimin dhe faturimin e konsumatorëve në veri sipas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2022, e bëri të qartë se shtrenjtimi prej 16.1% nuk vlen për serbët atje.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Rryma për serbët në veri të Kosovës nuk është shtrenjtuar. Tarifat e reja të energjisë elektrike nuk vlejnë për atë pjesë të vendit.

Zyra e Rregullatorit për Energji më 16 prill miratoi shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16.1% krahasuar me vitin e kaluar, pavarësisht protestave të qytetarëve.

ZRRE-ja i tha Gazetës Express të hënën se tarifat e reja që do të zbatohen nga 1 qershori në të gjithë territorin, përveç veriut të vendit.

Kompania serbe Elektrosever e ka marrë përsipër furnizimin dhe faturimin e konsumatorëve atje, sipas një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2022. Dhe ZRRE-ja tha se “nuk përcakton tarifa me pakicë të energjisë elektrike për Furnizuesin Elektrosever”.

Pasi doli ky lajm, ZRRE-ja, si për ta zbutur reagimin qytetar që u shkaktua, lëshoi një njoftim në Facebook për tarifat e reja të energjisë elektrike në Kosovë dhe “ndikimin te konsumatorët në veri”.

Formulimi u bë qëllimshëm i paqartë, me ZRRE-në që tha se më 16 prill ka aprovuar tarifa të reja për shfrytëzim të sistemit të transmetimit, operimit të sistemit dhe operimit të tregut si dhe tarifa për shfrytëzim të sistemit dhe shpërndarjes, të cilat tha se “janë të detyrueshme për të gjithë furnizuesit”, përfshirë Elektroseverin.

Kompania serbe operon jashtë “sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal” – pra KESCO-s – për të cilin vlen shtrenjtimi i rrymës. Këtë, megjithëse ZRRE-ja e tha në përgjigje, nuk e përmendi qartazi në njoftimin e bërë publik më pas.

E vërteta: S’ka shtrenjtim në veri

Elektroseveri duhet të aplikojë tarifat e përcaktuara vetëm për rrjetin e transmetimit dhe të shpërndarjes, por kjo nuk i prek qytetarët e veriut.

Kjo kompani tha mbrëmë se shtrenjtimi i miratuar nga ZRRE-ja nuk vlen për komunat në veriun e Kosovës.

“Informacioni që rryma në Kosovë do të shtrenjtohet për 16.1% nuk vlen për katër komunat veriore, pra për konsumatorët që ne i furnizojmë me energji elektrike”, tha Elekstrosever në një përgjigje për mediumin serb, KoSSev.

Elektroseveri tha se nuk planifikojnë asnjë rritje të çmimit të rrymës për serbët në veri.

Tarifat e reja të energjisë elektrike në Kosovë, që siç është bërë zakon hyjnë në fuqi çdo 1 prill, këtë vit do të zbatohen me pak vonesë për shkak të ankesave dhe reagimeve të qytetarëve.

Mungesa e prodhimit të mjaftueshëm nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe nevoja për import të rrymës me çmime më të shtrenjta në bursat ndërkombëtare, janë dy arsyetimet kryesore që janë përmendur nga ZRRE-ja për shtrenjtimin e rrymës.

Përfaqësues të bizneseve kanë paralajmëruar se do të detyrohen t’i shtrenjtojnë produktet dhe shërbimet, përfshirë ato baziket si mielli, buka, qumështi e vaji, për shkak të këtij vendimi.