Një përplasje e dhunshme është shënuar këtë të martë në një zyrë elektorale të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit në rrugën “Ali Demi” në Tiranë.
Rreth orës 14:00, një telefonatë alarmoi sallën operative të DVP Tiranë për një konflikt fizik në ambientet e zyrës. Në vendngjarje, policia ka konstatuar dëmtime në xhamat e zyrës, të shkaktuara me sende të forta, ndërsa janë gjetur edhe dy fishekë lufte të paplasur – një detaj që ngre pikëpyetje të forta mbi natyrën e përplasjes.
Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet, ndërsa forcat e shumta të policisë dhe grupi hetimor vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet po thellohen për të zbardhur motivet e konfliktit dhe për të dokumentuar plotësisht të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i policise
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.
Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak të paplasur.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.